Ndërlidhjet

Kosova nuk shfrytëzon linjitin, blen energji elektrike


Rreth 11 miliardë ton linjit të Kosovës, mbesin të pashfrytëzuara si pasojë e mungesës së një strategjie adekuate të Qeverisë së Kosovës, vlerësojnë ekspertë të çështjeve të energjetikës.

Mos shfrytëzimi i këtyre resurseve natyrore sipas tyre, ka bërë që Kosova të shpenzojë shuma enorme të parave për blerje të energjisë elektrike nga vendet tjera.

Ethem Çeku, ekspert i çështjeve energjetike, njëherë ish ministër i energjisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se tani e 15 vite, projektet energjetike në Kosovë nuk po zhvillohen dhe kjo ka bërë që vendi të ketë një sektor ta pazhvilluar energjetik.

“Problemi qëndron se qeveritë nuk arritën të ndërtojnë një konsensus politik të përbashkët që të shtyhet dhe të mbështetet zhvillimi i sektorit energjetik. Këto resurse më shumë përdoren gjatë fushatave elektorale se sa të ndërtohen si koncept zhvillues ekonomik mbi të cilat mund të zhvillohet ekonomia e Kosovës”, vlerëson Çeku.

Kosova përgjatë viteve është ballafaquar edhe me pasiguri në furnizim me energji energjike. Kjo pasiguri vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.

Institucionet e Kosovës, shton eksperti i çështjeve të energjetikës Ethem Çeku, duhet t’i caktojnë prioritet dhe ato prioritete të kalojnë në një konsensus të përbashkët dhe të fillojë zhvillimi i këtij sektori.

“Ne në këtë rast kemi një përparësi tepër të madhe, sepse kemi infrastrukturën tërësisht të rregulluar, Kosova ka resurse ujore, infrastrukturë rrugore, energjetike ka tregun, pra posedojmë të gjitha kapacitet që ne të ndërtojmë disa blloqe të termocentraleve të reja”, thotë ai.

Ndryshe, sektori i energjisë në Kosovë gjendet në situatë jo të mirë. Për të dalë nga kjo gjendje, që nga viti 2001 janë bërë analiza nga më të ndryshmet, si nga institucionet vendore, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme, por që ende nuk është arritur që Kosova të shkarkohet nga mungesa e energjisë elektrike.

Përfaqësues të shoqërisë civile që merren me çështjet energjetike, vlerësojnë se edhe po që se Kosova do të përdor të gjitha resurset që ka, përsëri energjia elektrike nuk është duke arritur tek konsumatori i fundit, për shkak të problemeve teknike dhe rrjetit të vjetërsuar elektrik.

Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se Kosova duhet të shfrytëzojë burimet e ripërtërishme për të prodhuar energji elektrike.

“Ne kemi resurse të mëdha të linjtit, por duhet pasur parasysh që bota është duke shkuar drejt zhvillimeve të burimeve të ripërtërishme për të prodhuar energjinë elektrike, të cilat edhe Kosova i ka por jo në masë të madhe, mirëpo ne nuk jemi duke e bërë një gjë të tillë që të shfrytëzojmë atë energji nga burimet e ripërtërishme”, thekson ai.

Burimet e ripërtërishme të energjisë përbëjnë një element të rëndësishëm të sektorit energjetik të Kosovës. Megjithatë, për shfrytëzimin e këtyre burimeve Kosova deri më tani nuk ka pasur një organizim dhe hulumtim të duhur se sa ka resurse të këtyre burimeve.

Derisa në raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, Kosova është radhitur lartë me pasuri të mëdha në fushën e linjitit plumbit, zinkut, arit dhe argjendit.

XS
SM
MD
LG