Ndërlidhjet

Klinikat e QKUK-së në mungesë profesionistësh shëndetësorë


Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, në disa klinika ka mungesë të profesionistëve shëndetësorë. Si rrjedhojë Ministria e Shëndetësisë ka parë nevojën që të lidh një marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës , në mënyrë që të shkëmbehen mjekë të lëmive të ndryshme, me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët e dy vendeve.

Në klinikën e kardiokirurgjisë në Kosovë, tash për tash është vetëm një kardiokirurg. Kjo si pasojë e asaj që vitin e kaluar kardiokirurgu Raif Qavolli dhe Adem Gerbollar, e kanë lëshuar punën në Qendrën Klinike Universitare, për të vazhduar punën e tyre në klinika private.

Ndryshe, operacioni i fundit në klinikën e kardiokirurgjisë është bërë me 14 dhjetor 2014 , dhe në dy muajt e fundit janë bërë 12 operacione.

Sipas Valbon Krasniqit, këshilltar i ministrit të shëndetësisë, bashkëpunimi mes dy vendeve do të implementohet.

"Sa i përket bashkëpunimit në fushën e kardiokirurgjisë ajo marrëveshje qëndron dhe do të implementohet shumë shpejtë. Ekziston edhe marrëveshje mes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, si dhe Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës".

"Kanë mbetur disa detaje teknike, si përcaktimi i kontratave të kardiokirurgëve, që do të vinë në Kosovë për të asistuar në intervenimet kirurgjike në këtë fushë. Do të zgjidhen këto çështje shumë shpejtë dhe marrëveshja do të implementohet".

Ndërkaq, kardiokirurgu i vetëm në klinikën e kardiokirurgjisë, Bekim Dula, përmes postës elektronike ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë, se edhe përkundër mungesës së madhe të profesionistëve shëndetësorë të kësaj lëmie, puna në klinikë po vazhdon.

Ai thotë se si rezultat i bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, që nga gushti i vitit 2014, ka nisur procedura për angazhimin e një pjese të stafit për kardiokirurgji nga Shqipëria dhe kjo ka kulmuar me nënshkrimin e marrëveshjes në mes të të dyja vendeve më 7 nëntor 2014.

Derisa zoti Krasniqi ka thënë se bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdoj, ai ka shtuar se për detaje të reja do të ketë edhe takim mes dy ministrave të shëndetësisë, atij të Kosovës dhe Shqipërisë.

"Bashkëpunimi do të vazhhdojë dhe kanë dalë ide të reja për bashkëpunim, pasi fillimisht ka qenë ideja që të bashkëpunohet vetëm në fushën e kardiokirurgjisë, dhe kjo gjithsesi do të vazhdojë".

"Ministri i shëndetësisë Imet Rrahmani do të takohet me ministrin e shëndetësisë së Shqipërisë dhe do të definojnë në detaje pikat e bashkëpunimit".

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, nga muaji shkurt i vitit 2015, Shërbimi i Kardiokirurgjisë do të ketë ndihmën profesionale dhe prezencën e së paku një spitali italian me renome ndërkombëtare, në kuadër të projekt-donacionit italian, për të filluar edhe me kardiokirurgjinë pediatrie.

XS
SM
MD
LG