Ndërlidhjet

Marrëveshjet e pa zbatuara, peng i politikës


Disa nga marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, vazhdojnë të mos zbatohen.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se nga rreth njëzet marrëveshjet e arritura, pesë nga to nuk zbatohen fare.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, duke shprehur qëndrimin e saj lidhur me marrëveshjet e arritura, thotë se në Serbi nuk ka vullnet për zbatimin e tyre.

"Serbia po vazhdon me standarde të dyfishta, apo me një qasje hipokrite, sepse deri sa në Bruksel ka nënshkruar marrëveshjet për të cilat po flasim në praktikë, mungon vullneti i Serbisë për fqinjësi të mirë me Kosovën. Mungon edhe vullneti i Serbisë për të plotësuar obligimet zbatuese të marrëveshjeve të Brukselit", tha Tahiri.

Marrëveshjet të cilat nuk zbatohen janë ajo për telekomin, njohja e diplomave, marrëveshja për drejtësi, ajo për import të produkteve medicinale, dhe e kadastrit.

Ministrja Edita Tahiri, vlerësoi se "zbatimi i marrëveshjeve të tjera është dinamik"...

"Një marrëveshje ka zakonisht disa variabla dhe disa variabla shkojnë mirë, disa jo. Nëse është fjala për IBM (Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit), janë çështjet edhe nënçështjet dhe nuk mund të flitet me prerje", tha Tahiri.

Ndërsa sa i përket aspektit të sigurisë, ajo ka thënë se kjo çështje ka mbetur mbrapa në veri të Kosovës dhe se "forcat paramilitare serbe janë të pranishme ende në veri".

"Ka ngecur çështja e shuarjes së strukturës paramilitare e ashtuquajtur mbrojtje civile", tha Tahiri.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.

Tahiri thekson se e rëndësishme është që si Kosova ashtu edhe Serbia kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht duhet të ketë zbatim të marrëveshjeve.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se zhvillimet politike në Prishtinë dhe Beograd, kanë ndikuar në mos zbatimin e marrëveshjeve.

Ai konsideron se zgjedhjet në të dyja vendet kanë penguar në fillimin e zbatimit të disa marrëveshjeve.

"Dinamikat politike në Prishtinë dhe Beograd, përcaktojnë edhe dinamikën e procesit të normalizimit dhe implementimit të marrëveshjes se Brukselit. Natyrisht që ka pas mundësi që të dyja palët të bëjnë të njëanshme shumë gjera, në veçanti ana e Beogradit, që të përshpejtojë më shumë procesin e eliminimit të institucioneve serbe ne Kosovë, por kjo nuk ka ndodhur", tha Rashiti.

Vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, është potencuar si një nga prioritetet politike, jo vetëm për Kosovën, por edhe Serbinë për vitin 2015.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pas një periudhe dinamike të bisedimeve gjatë vitit 2013, në vitin 2014, kishte më pak takime për shkak të zgjedhjeve dhe formimit të institucioneve të reja si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë.

XS
SM
MD
LG