Ndërlidhjet

Mbi 1 milion njerëz të bashkuar në Paris


Mbi një milion njerëz dhe 40 liderë botërorë kanë marrë pjesë në një marshim në Paris, për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste në këtë qytet.

Marshimi i Unitetit është udhëhequr nga lideri francez dhe homologë të tij, të shoqëruar nga të afërmit e 17 viktimave.

Islamistët radikalë kanë vrarë këtë javë 12 njerëz në revistën satirike “Charlie Hebdo”, një police franceze dhe katër pengje në një dyqan hebre.

Organizatorët kanë thënë se midis 1.3 milion dhe 1.5 milion njerëz kanë njdekur marshimin midis Sheshit të Republikës dhe Sheshit të Kombit.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka lidhur duart me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe liderë të tjerë – në mesin e tyre: kryeministri britanik, David Cameron, kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe lideri palestinez, Mahmud Abbas.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dhe presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, kanë marrë pjesë po ashtu.

Shtetet e Bashkuara janë përfaqësuar nga prokurori i përgjithshëm, Eric Holder.

Në fillim të marshimit, pjesëmarrësit kanë mbajtur një minutë heshtje. Grupe të ndryshme njerëzish kanë kënduar po ashtu himnin e Francës, La Marseillaise.

Rreth 2,200 policë dhe ushtarë janë vendosur në rrugët e Parisit për të ofruar siguri.

Forcat e sigurisë kanë përfshirë snajperistë mbi çatitë e ndërtesave dhe detektivë civilë që janë përzier me turmën.

Tunelet e Parisit janë kontrolluar po ashtu para vigjiljes, ndërsa stacionet e metrosë përreth rrugës së marshimit janë mbyllur.

Marshimi ka refelktuar tronditjen nga sulmi më i keq i militantëve islamikë në një qytet evropian në disa vite.

Tre ditët e dhunës terroriste në dhe përreth kryeqytetit të Francës kanë përfunduar me një bastisje më 9 janar, e cila ka rezultuar me vrasjen e vëllezërve Cherif dhe Said Kouachi, të dyshuarit kryesorë të sulmit në revistën “Charlie Hebdo”.

Një bastisje tjetër e forcave të sigurisë, të njëjtën ditë, në një dyqan hebre në lindje të Parisit, po ashtu ka rezultuar me vrasjen e personit të armatosur, të lidhur me Al Kaidën,Amedy Coulibaly. Ky i fundit thuhet se ka vrarë një police franceze më 8 janar dhe katër pengje në dyqan më 9 janar.

Forcat franceze të sigurisë janë ende në kërkim të Hayat Boumeddiene, gruas që është thënë se ka bashkëpunuar me Coulibalyn kur ai ka vrarë policen në jug të Parisit.

Autoritetet franceze e kanë përshkruar atë si “të armatosur dhe të rrezikshme”.

Por, disa burime turke dhe franceze kanë thënë të shtunën se Boumeddiene mendohet se ka hyrë në Turqi më 2 janar, disa ditë para dhunës në Paris, dhe se mund të ketë kaluar kufirin me Sirinë.

Të dielën është shfaqur po ashtu një video, e cila tregon sulmuesin në dyqan, Coulibaly, i cili zotohet për besnikëri ndaj grupit militant të Shtetit Islamik.

Në video, ai thotë se ka punuar me sulmuesit e revistës “Charlie Hebdo”. “Ne kemi ndarë ekipin tonë në dy, për të rritur ndikimin e veprimeve tona”, ka thënë ai.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG