Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita me prioritete të kundërta në Kuvend


Kuvendi i Kosovës pritet t'i kthehet agjendës së rregullt të punës pas pushimit që shpalli për festat e fundvitit. Ndonëse ishte konstituuar me vonesë prej disa muajve, Kuvendi i Kosovës, deri më 15 janar ndodhet zyrtarisht në pushime dimërore.

Ndërkaq pas kësaj date, pritet që të nis seancat e rregullta të punës me shqyrtimin e pikave në rendin e ditës.

Opozita, ishte përpjekur që gjatë fundjavës të mblidhte deputetët në një seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, si një shqetësim në rritje. Por, nuk e gjeti mbështetjen e pozitës, kështu që kjo nismë pritet të debatohet në një seancë të rregullt.

Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka deklaruar se nisma për këtë debat parlamentar ishte konsideruar si një interes i Kosovës, ngaqë në mungesë të perspektivës ekonomike dhe vendeve të punës, dukuria e ikjes së qytetarëve po bëhet gjithnjë e më masive.

"Ky është një shqetësim dhe sfidë për vendin që në shumë raste ka kaluar edhe në tregime tragjike të qytetarëve tanë", ka thënë Donika Kadaj Bujupi.

Nisma e opozitës, pasoi edhe rastin tragjik të humbjes së jetës të një qytetari të Kosovës në përpjekje të kalimit të kufirit në Hungari.

Përderisa opozita po e konsideron largimin e qytetarëve të vendit nëpër shtetet evropiane si një nga shqetësimet kryesore që duhet adresuar në Kuvend, pozita ndërkaq ka në plan disa prioritete tjera.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë me dije së një nga çështjet e para për diskutim dhe miratim në mbledhjen e parë të Kuvendit do të jetë miratimi i Ligjit për sanksionimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

"Një nga prioritetet e institucioneve të Republikës së Kosovës është Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit", ka theksuar Veseli.

Krahas sanksionimit dhe ndalimit të pjesëmarrjes së shtetasve të Kosovës në luftërat jashtë vendit, Kuvendi pritet të ballafaqohet më pas edhe me një nga sfidat kryesore, atë të miratimit të ligjeve dhe amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Kryekuvendari Kadri Veseli ka thënë se deri më tash, për këtë çështje nuk është proceduar ndonjë kërkesë apo projekt nga qeveria.

"Ne deri më tani nuk kemi ndonjë njoftim se kur do të procedojmë, por sido që të jetë, në momentin e parë kur do ta kemi një njoftim dhe kur qeveria e Kosovës do ta sjell draftin unë do ta bëj publike", ka theksuar Veseli.

Deri në fund të muajit janar, qeveria ka paralajmëruar të përmbyllë planin e vet të punës për këtë vit. Në atë plan, pritet të shihet agjenda dhe numri i projektligjeve që pretendohet të procedohen në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Agjenda e punës së qeverisë dhe kuvendit të Kosovës, sivjet parashihet të jetë më e ngjeshur pas kohës së humbur gjatë gjashtë muajve të krizës institucionale që pasoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG