Ndërlidhjet

Maqedoni: Nuk respektohen ligjet që garantojnë barazi gjinore


Në Maqedoni pjesa më e madhe e legjislacioionit që rregullon çështjen e barazisë gjinore, si model ka vendet e zhvilluara evropiane, por problemi qëndron në mos zbatimin e të njejtave.

Kjo ka nxitur që 21 organizata joqeveritare të cilat kanë në fokus të drejtat e grave, për t`u bashkuar në realizimin e një platforme të përbashkët që si qëllim ka barazinë gjinore.

Neda Korunovska, për Radion Evropa e Lirë konsideron se formimi i këtij rrjeti që përbëhet nga sektori civil, ka për qëllim nxitjen e reformave në çdo pore të shoqërisë, për të siguruar kushte për implementimin e ligjeve të cilat garantojnë barazi gjinore.

“Bazuar në dinamikën si rrjedh realizimi i reformave, më duhet të konstatoj se do të nevojitet edhe shumë kohë, mos të them edhe 200 vite që vërtetë të arrihet barazia gjinore në shoqërinë maqedonase”, thekson Korunovska.

Ndërkaq, Leunora Kaliqi nga organizata joqeveritare "AJO", thotë se barazia gjinore në Maqedoni nuk është e prekshme në shumë fusha të jetës.

Zonja Kaliqi vlerëson se përpos mekanizmave ligjore dhe institucional që sigurojnë barazinë gjinore në Maqedoni, duhet investuar më shumë në aftësimin e grave për tu përfshirë në pozita vendimmarrëse si dhe fuqizimin ekonomik të femrave si një ndër kushtet themelore për arritjen e barazisë gjinore.

“Kur flasim për kushtet ekonomike me theks të veçantë për shoqërinë shqiptare në Maqedoni, çdo herë pasuria familjare e trashëguar u ndahet vetëm djemve, me atë që vajzat përjashtohen nga kjo e drejtë edhe kundrejt ligjeve që parashohin ndarje të barabartë, por si pasoj e traditës me nënshkrimin e saj pasuria i kalohet vëllezërve, kjo pasiguri ekonomike e pengon atë që t`u kundërvihet padrejtësive të ndryshme që i bëhen në familjen e bashkëshortit dhe më pas në shoqëri”, thekson Leunora Kaliqi.

“Fatkeqësisht diskriminimi i femrave fillon nga gjiri familjarë, fatkeqësisht edhe në këtë shekull veçanerisht në viset rurale si pasojë e paragjykimeve të ndryshme, femrës i ndalohet e drejta elementare e arsimimimit, ngase familja në të shumtën e rasteve më shumë investon në fëmijët e gjinisë mashkullore sepse mendohet ata janë të oxhakut kurse femra është ajo e derës së huaj dhe nuk duhet shpenzuar para për shkollim”, vlerëson Leunora Kaliqi.

Neda Korunovska e cila drejton rrjetin e OJQ-ve, thotë se përmes një platforme të përbashkët, 21 organizatat e grave do të angazhohen të detektojnë ato institucione të cilat nuk i respektojnë ligjet që garantojnë barazinë gjinore.

“Për fat të keq edhe kundrejt asaj se në aspektin strategjik të legjislacionit, Maqedonia ka vendosur prioritete dhe qëllime të larta sa I përket avancimit të pozitës së femrave, në më shum lëmi gratë nuk kanë pozitë të barabartë, ata balafaqohen me pabarazi gjinore, nuk kanë kushte të jëta për strehim sic kanë meshkujt, etj e mos flasim për diskriminimin që u bëhet grave në tregun e punës vecanërisht barën që bartin gratë gjat kryerjes së puneve të shtëpisë për të cilën nuk paguhen”, thekson Korunovska.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar përkatësisht vitit 2014-të, Maqedonia është pozicionuar në vendin e 70-të në listën botërore për barazi gjinore të Forumit Ekonomik botëror, ndërkohë që një vit më parë përkatësisht në 2013, ajo ishte e poziconuar 17 vende më lartë.

Gjat vitit të kaluar në mesin e 142 vendeve në pozitën e parë gjendet Islanda me rezultat prej 0.8594, ndërsa në vendin e fundit të 42-të është Jemeni me 0.5145 pikë.

Maqedonia është në vendin e 70-të me gjithsej 0.6943 pikë, menjëherë pas Italisë (69) dhe para Brazilit (71).

Nga fqinjët e Maqedonisë, Shqipëria është në vendin e 83-të, Bullgaria në vendin e 22-të, Greqia në 91, Serbia në vendin e 54-të, Kroacia në të 55, Rumania në 72, Sllovenia 23 dhe Mali i Zi në vendin e 74-të.

Forumit ekonomik botëror gjatë hartimit të listës është bazuar në dallimet mes gjinive në pagat, pjesëmarrja në tregun e punës, vendet e punës me kualifikim të lartë, qasja në arsim, përfaqësimi i vendeve adekuate si dhe përfaqësimi i grave dhe burrave në popullsinë e përgjithshme të vendit.

XS
SM
MD
LG