Ndërlidhjet

Partia shqiptare në pushtet, BDI, ka hedhur poshtë pretendimet e disa mediave të vendit se reformohet si parti duke vënë në fokus çështjet ekonomike para angazhimit të kësaj partie për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, premtime me të cilat ka fituar dhe besimin e elektoratit shqiptar.

Artan Grubi, zyrtar i lartë në BDI, për Radion Evropa e Lirë thekson se krahas integrimeve, kjo parti gjatë vitit 2015 në fokus të angazhimeve të saja do të ketë edhe realizimin e më shumë projekteve ekonomike që janë me interes për shqiptarët e Maqedonisë.

“Të pyetur nga gazetarët se cilët do të jenë prioritet e BDI-së për vitin 2015, përgjigja ka qenë se përveç integrimit të vendit në NATO dhe BE, raporteve të mira ndër-fqinjësore, si dhe zbatimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, për BDI prioritet gjatë vitit 2015 janë edhe çështjet ekonomike".

"Duke theksuar disa nga projektet që janë shumë të rëndësishme siç është autostrada Ohër - Kërçovë deri në Strugë, përkatësisht në Qafëthanë, më pas do të fokusohemi në ndërtimin e ujësjellësit në Likovë, Zajaz dhe Tetovë, pastaj kemi rrugën Shkup - Bllacë, si dhe ndërtimin e zonave të lira në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë”, thekson Grubi.

Por, analistët politikë thonë se bllokimi për një kohë të gjatë i procesit të integrimit është ajo që e detyron BDI-në të vendos prioritete ekonomike para procesit të integrimit.

Analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri thotë se Bashkimi Demokratik për Integrim, duke fokusuar angazhimin në realizimin e projekteve ekonomike bëhet një parti e lojërave duke e de-legjitimuar veten në politikë, ngase brenda shtatë viteve sa është pjesë e qeverisë ka dëshmuar se nuk ka fuqi vendimmarrëse në krijimin e politikave ekonomike dhe sociale të vendit.

Zhvendosja e vëmendjes në çështjet ekonomike është një përrallë e radhës, e cila duhet të shërbejë për një kohë të caktuar, për arsye se zhvendosja e vëmendjes përkatësisht zhvendosjes së objektivave të cilat nuk i realizon, flet për agoninë e vërtetë të kësaj partie, përkatësisht mungesën e kapacitetit të vapimit politik, dhe jo seriozitetin e saj për t`u imponuar si forcë vendimmarrëse në kuadër të veprimit në qeverinë e kryeministrit Gruevski”, nënvizon.

Sipas tij, vendosja e çështjes së integrimeve në vijë të parë të prioriteteve të partnerëve të koalicionit qeverisës si nga ana e BDI ashtu dhe VMRO-DPMNE-së është bërë pro forma, ngase realisht asnjë veprim konkret i cili do të çonte kah zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë vite me radhë nuk është ndërmarrë nga kjo përbërje qeveritare.

“Nuk ka gatishmëri as nga Greqia e as Maqedonia, në këto rrethana nuk mund të ndodh mrekullia. Mrekullinë duhet ta bëjnë njerëzit, partitë politike dhe qeveria për të cilën nuk ka interesim. Ndoshta ardhja e SIRIZ-së në pushtet në Greqi mund të paraqet një shans të vogël se gjërat mund të lëvizen kah e mbara gjatë 2015-ës sa i përket procesit të integrimit, por kjo s'është garanci”, nënvizon Demiri.

XS
SM
MD
LG