Ndërlidhjet

Grevë njëorëshe e mësimdhënësve, hapi i parë sindikal


Ilustrim

Ilustrim

Mësimdhënësit në institucionet shkollore parauniversitare në Kosovë kanë mbajtur të martën grevë njëorëshe, sipas vendimit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Zyrtarët e kësaj sindikate kanë theksuar se greva ka për qëllim nxitjen e Qeverisë së Kosovës që të reflektojë për realizimin e kontratës kolektive, të nënshkruar në mars të vitit të kaluar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të bizneseve dhe punëtorëve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se greva njëorëshe është mbajtur në ndërrimin e paradites dhe në ndërrimin e pasdites.

“Këshilli qendror grevist është duke mbledhur shënimet nga terreni. Shënimet e para flasin se në përgjithësi në komunat e Kosovës, është përfillur vendimi i Këshillit drejtues dhe nuk është mbajtur ora e parë në shenjë të veprimit sindikal të përshkallëzuar. Në përgjithësi, mund të thuhet se pjesa dërmuese e mësimdhënësve të Kosovës i janë përgjigjur vendimit të Këshillit drejtues”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka shtuar se vetëm një pjesë e shkollave në Podujevë nuk i është përgjigjur thirrjes për grevë dhe ato shkolla kanë zhvilluar mësimin, normalisht, edhe në orën e parë.

Por, sipas Jasharajt, ato janë minimale në krahasim me numrin e madh të shkollave në Kosovë që i janë përgjigjur vendimit të Këshillit drejtues të grevës.

Ndryshe, Jasharaj ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk reflekton ndaj kërkesave të SBASHK-ut, atëherë mësimdhënësit do të vazhdojnë me hapa të përshkallëzuar dhe me 22 janar, nuk do të mbajnë mësim në dy orët e para, të ndërrimeve përkatëse në shkolla, ndërkaq me 30 janar do të organizohet grevë një ditore në tërë arsimin parauniversitar.

Eksperti i çështjeve të arsimit Halim Hyseni nga Qendra për avancimin e performancës së sistemit të arsimit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i vlerëson veprimet aktuale të SBASHK-ut, si të gabuara, të pa analizuara mirë dhe të papërgjegjshme.

“Arsyeja kryesore pse e them kështu është se vendimi është sjellë në dëm të nxënësve dhe si atakim i mëtejmë i cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënies, e cila edhe ashtu nuk është e mirë”, tha Hyseni.

Ai ka shtuar se SBASHKU e gëzon të drejtën e që të vihen në mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve, por një gjë e tillë, sipas tij, nuk mund të jetë justifikim kur është parasysh gjendja e përgjithshme ekonomike e Kosovës dhe shkalla e lartë e papunësisë.

Por, Jasharaj thotë se kërkesat e sindikatës së arsimit janë strikte, sepse janë pjesë e kontratës me Qeverinë e Kosovës .

“Me një angazhim të shtuar të kabinetit qeveritar, janë kërkesa të realizueshme, sepse nuk kërkohen implikime të mëdha buxhetore, por kërkohet vullneti i qeverisë”, thotë Jasharaj.

Në anën tjetër, Hyseni vlerëson se marrëveshja e qeverisë me sindikalistët, vitin e kaluar për kontratën kolektive, më tepër ka qenë premtim elektoral, i cili nuk është dashur të jepet sepse nuk mund të plotësohet.

“Ka qenë një premtim joshës për të siguruar votat dhe mendoj se ai premtim ka qenë jo në rregull, jo human dhe jo real. Ai premtim nuk mund të plotësohet. Ndërkaq, mosplotësimi i atij premtimi do të ketë reperkusione të mëdha në cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënies”, shprehet Hyseni.

Kërkesat e SBASHK-ut kanë të bëjnë me pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive, siç janë: shujta- 2 euro për çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 për qind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 për qind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit me rastin e pensionimit dhe tri paga mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit.

Ndryshe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në një komunikatë për media ka bërë të ditur se “sipas informatave të marra nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, mësimdhënësit në 61 institucione arsimore në nivel vendi, nuk janë përfshirë fare në grevë dhe procesi edukativo-arsimor është zhvilluar normalisht, ndërsa në 15 institucione arsimore greva është mbajtur pjesërisht”.

Duke qenë se Qeveria e re është në fillimet e punës së saj, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka kërkuar mirëkuptim nga SBASHK-u dhe mësimdhënësit, në mënyrë që të jepet kohë për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG