Ndërlidhjet

Rreth 3000 qenë endacak në Prishtinë


Në Prishtinë janë rreth tre mijë qenë endacak, kurse në mbarë Kosovën thuhet se numri i tyre arrin në 200 mijë, sipas një raporti të bërë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Një fëmijë ka mbetur i vdekur kohë më parë nga sulmi i qenve endacak, kurse vetëm pak ditë më parë, një tjetër fëmijë ka marrë lëndime.

Zyrtarë në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë deklaruar se çështja e qenve endacak është një problematikë e madhe, e cila, siç thonë ata, duhet të zgjidhet "në nivel nacional dhe të trajtohet me shumë përkipmëri në tërë teritorin e Kosovës".

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, njofton se është kontraktuar operatori që merret me trajtimin e qenve.

"Ne jemi duke bërë rehabilitimin e gjendjes së tanishme, pasi që konsiderohen se në Prishtinë janë rreth 3 mijë qenë endacak dhe pasi jemi në sezonin e dimrit, këto kafshë bëhen edhe më agresive në kërkim të ushqimit. Komuna e Prishtinës ka kontraktuar operatorin ekonomik që merret me trajtimin e qenve në mënyrë humane, siç është e përcaktuar me ligjin në fuqi".

Por, vrasja e qenve endacakë si praktikë e mëhershme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në vitin 2011, pati zgjuar reagime të shumta te qytetarët dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Atë kohë, ishin eliminuar rreth 300 qenë endacakë.

Për çështjen e qenve endacak, flasin edhe vetë banorët e Prishtinës...

"Vrasja e tyre nuk mund të bëhet pasi që nuk lejohet as me konventa ndërkombëtare për të drejtat e kafshëve. Andaj, jo vetëm Komuna e Prishtinës, por të gjitha komunat e Kosovës duhet të kenë kujdes, që të krijojnë kushte për ta. Unë para tri javësh e kam marrë një qen, të tillë që jam duke e mbajtur në shtëpi. E kam adoptuar nga një qendër strehimi", thekson Bajram Batusha, qytetar.

Edhe Milot Hasimja, gazetar me profesion, jep mendimin e tij rreth asaj se çka duhet bërë me qentë endacak.

"Jo vetëm Komuna e Prishtinës, por të gjitha Komunat e Kosovës duhet ta kenë një mbledhje urgjente, në mënyrë që të fillojë kastrimi i tyre. Pas kastrimit nuk mund të shumohen dhe njerëzit që kanë mundësi do të mund t'i adoptojnë, dhe qentë nuk do t'i kishim në rrugë, por në shtëpi dhe oborre të shtëpive".

Ndërkaq Florim Ferati, menaxher i Qendrës kosovare për trajtimin dhe strehimin e qenve endacakë, ka bërë të ditur se në këtë qendër numri qenve të strehuar, është nga 80 deri në 150.

"Ne në qendër kemi rreth 150 qen. Ne bëjmë kastrimin, sterilizimin, vaksinimin dhe lirimin e qenve endacakë. Por, ne nuk e dimë sa jetojnë qentë pas këtyre procedurave. E gjithë kjo bëhet edhe për shkak të mos-shtimit të tyre. Por ne mendojmë se duhet të bëhet regjistrimi i qenve me pronarë, derisa një gjë e tillë tek ne nuk bëhet”.

XS
SM
MD
LG