Ndërlidhjet

Pasiguri e madhe në shkollat e komunës së Prishtinës


Ilustrim

Ilustrim

Një hulumtim i bërë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim më Komunën e Prishtinës, ka treguar se niveli i sigurisë së përgjithshme në shkollat publike të Komunës së Prishtinës është nën nivelin e dëshiruar.

Sipas këtij hulumtimi, kafiteritë jashtë shkollës, oborri i shkollës dhe tualetet identifikohen si vende më pak të sigurta.

Derisa, koha më pak e sigurtë, sipas nxënësve, është ajo gjatë kthimit në shtëpi dhe gjatë pushimit në mes orëve të mësimit.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP Andrew Russell, ka theksuar se hulumtimi ka treguar se gjendja në shkolla publike të komunës së Prishtinës sa i përket sigurisë në përgjithësi nuk është e mirë.

“Janë 21 për qind e nxënësve që ndihen jo aq të sigurt në shkolla dhe 47 për qind e prindërve ndajnë të njëjtin opinion kur fëmijët e tyre janë në shkollë”, ka bërë të ditur Russell.

Përveç tjerash, hulumtimi për sigurinë në shkollat e komunës së Prishtinës tregon se sjelljet e nxënëse që bien ndesh me rregulloren e shkollës, janë të larta.

Çdo i treti i mësimdhënës, nxënës dhe prind ka deklaruar se ka ndodhur të paktën një herë gjatë gjysmë vjetorit të parë, që nxënësi të ketë ofenduar mësimdhënësit apo ky i fundit të ketë ofenduar rëndë nxënësin.

Gjithashtu, 46 për qind e nxënësve deklarojnë se një mësimdhënës ka goditur apo rrahur një nxënës.

Ndërkohë, çdo i pesti nxënës, prind apo mësimdhënës, i përfshirë në këtë hulumtim raportojnë se nxënësit kanë përdorur droga dhe alkool në shkolla.

Për më tepër, ata raportojnë edhe raste kur nxënësit janë përfshirë në rrahje dhe përleshje me arme zjarri.

Duke marrë parasysh pasigurinë që i shoqëron nxënësit gjatë kohës që shkojnë në shkollë dhe qëndrojnë në shkollë, nxënësit kërkojnë prezencë të policisë civile edhe përmes vizitave apo patrullimeve të rregullta.

Për gjithë këtë pasiguri në shkolla, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se kanë filluar të marrin masa konkrete.

Ai ka treguar se kanë përfunduar planin aksional dhe se ky plan parasheh të gjitha veprimet që do të fillojnë së zbatuari që nga java e ardhshme.

“Shkolla për neve është institucioni më i rëndësishëm në këtë komunë, për shkak se aty janë bazat e situatës tonë pas 10 apo 15 viteve. Atë që e investojmë sot në shkollë do ta korrim si beneficion pas 15 viteve”, është shprehur Ahmeti.

Rezultatet e hulumtimit “siguria në shkolla” është bazuar në një mostër që ka përfshirë 353 nxënës, 82 prindër dhe 84 mësimdhënës të shkollave publike në Komunën e Prishtinës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG