Ndërlidhjet

Mustafa: Kosova s'është djep i Serbisë


 Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kryeministri Isa Mustafa i ka dërguar mesazhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, se nuk mund ta konsiderojë Kosovën si një djep serb, përderisa ai vetë për realizimin e vizitës në Kosovë kishte marrë leje nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë një konference për media, ku ai ka prezantuar disa nga angazhimet kryesore të qeverisë së tij për këtë vit.

Duke replikuar nga distanca me kryeministrin serb, i cili gjatë vizitës së fundit e kishte cilësuar Kosovën si djep serb, Mustafa ka thënë se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe u takon qytetarëve që jetojnë në të.

"Toka i takon atij që e shfrytëzon. Ai që merr leje që të hyjë në këto toka, nuk mund t’i shpallë ato si të vetat. Vuçiq ka hyrë në Kosovë me leje të autoriteteve të Republikës së Kosovës. Askush nuk kërkon leje që të hyjë në tokën e vet. Por, ka kërkuar leje që të vij këtu, sepse ky vend i takon Republikës së Kosovës, ky vend është i shpallur shtet i pavarur e sovran dhe është i njohur nga më shumë se 100 shtete të botës, andaj nuk duhet ta kemi kompleks fare kush çka thotë", është shprehur Mustafa.

Ai i ka dërguar një përgjigje të tërthortë kryeministrit serb edhe në lidhje me deklaratat e tij se së shpejti, Serbia do ta kthejë nën pronësi Trepçën, që dikur njihej si gjiganti i zhvillimit ekonomik në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Mustafa ka bërë me dije se të hënën, qeveria do t'i procedojë Kuvendit Ligjin për Trepçën, me të cilin Trepça i merret nga pronësia Agjencisë së Kosovës për Prona (AKP) dhe i kalohet në pronësi Qeverisë.

"Nëse nuk bëhet kjo rrezikohet falimentimi i Trepçës që nënkupton mbetjen pa punë të mbi 5 mijë punëtorëve”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Mustafa e ka përjashtuar mundësinë që deklaratat e tilla të Vuçiqit të pengojnë apo ndërpresin procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian e që si synim ka normalizimin e marrëdhënieve mes dyja shteteve.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe në lidhje me deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e tij, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i kishte quajtur protestuesit, kryesisht nëna e familjarë të personave të pagjetur nga Gjakova, si egërsira.

Mustafa ka thënë se këto ishin deklarata të pamatura, por nuk e ka përmendur ndonjë mundësi që ministri i qeverisë së tij të shkarkohet, siç po kërkojnë protestuesit që e kishin ndier veten të fyer nga deklaratat e Jabllanoviqit.

Kryeministri i Kosovës kishte një porosi edhe për protestuesit, duke thënë se historia e të pagjeturve nuk nis me Gjakovën, por është një plagë që prek gjithë Kosovën.

"Mendoj që ne duhet të kemi respekt të veçantë ndaj familjeve të personave të pagjetur, dhe këtë respekt e ka qeveria, e kam edhe unë, sepse konsideroj që me të pagjeturit nuk fillohet nga Gjakova. Për fat të keq ne tragjeditë e të pagjeturve i kemi tragjedi historike që kanë ndodhur në këtë vend edhe në shekullin e njëzet, si edhe në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe çdonjëri prej nesh e kemi përjetuar në familjet tona tragjedinë e njerëzve që kurrë nuk janë kthyer", ka theksuar Mustafa.

I përballur me trysnitë nga sindikatat e punëtorëve për rritje pagash, Mustafa ka thënë se rritja e pagave për 25 për qind për sektorin publik siç kishte premtuar qeveria paraprake është e pamundshme, pasi që buxheti i Kosovës nuk ka para.

Ndërkaq në lidhje me kërkesat e punonjësve të arsimit, të cilët po paralajmërojnë grevë, Mustafa ka thënë se do të zbatohet një pjesë e kontratës kolektive.

“Kur jemi te rritja e pagave, unë dua të jem i sinqertë, marrja e vendimit për të mos rritur pagat, nuk do të thotë që neve na kënaq, por këtë vendim kemi qenë të detyruar ta marrim, sepse nuk ka para të mjaftueshme në buxhet”, ka deklaruar Mustafa.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka parashikuar që rritja e Neto Produktit Vjetor (GDP) për këtë vit të jetë deri 4 për qind, kurse deri në fund të mandatit të tij deri në 7 për qind.

Ndër angazhimet tjera, Mustafa është zotuar sërish se do të punohet në avancimin e reformave, angazhime për sundimin e rendit dhe ligjit dhe luftimin e dukurive negative siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Për këtë vit, Qeveria Mustafa planifikon që të kalojë në Kuvend për miratim rreth 100 ligje dhe mbi 40 dokumente strategjike.

Kabineti i kryeministrit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka prezantuar stafin që do të përbëjë Kabinetin e tij në Kryeministri.

Shefe e stafit do të jetë Vlora Dumoshi. Këshilltar për çështje të drejtësisë, Besnik Berisha, këshilltar për politikë të jashtme, Valon Murtezaj, shefe e protokollit Burbuqe Thaçi, kurse shef i zyrës për informim të kryeministrisë do të jetë Drilon Zogaj.

Mustafa ka premtuar se së shpejti do të emëroj edhe zëdhënësin e qeverisë së Kosovës. Qeveria e kaluar e Kosovës nuk kishte zëdhënës dhe gjatë gjithë mandatit ishte venë në theks të kritikave të mediave dhe opinionit publik.

XS
SM
MD
LG