Ndërlidhjet

Në prill, me tarifa të reja të energjisë elektrike


Protestë e mëhershme kundër faturave të energjisë elektrike në Prishtinë.
Protestë e mëhershme kundër faturave të energjisë elektrike në Prishtinë.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë po shkakton pakënaqësi të mëdha te qytetarët e Kosovës.

Për pesë ditë me radhë qytetarët kanë protestuar duke kërkuar nga autoritetet kompetente uljen e çmimit të energjisë si dhe kthimin e tarifës së lirë në orarin ditor.

Qytetarët po ankohen se pas marrjes së faturave të energjisë elektrike, çmimet janë të larta dhe shprehin dyshimin në mundësinë e pagesës se faturave.

Njëri nga protestuesit thekson se pagesa e energjisë elektrike me këto çmime të larta do ta përkeqësojë standardin jetësor të tij.

“Kjo është katastrofë dhe e papërballueshme për qytetarin e Kosovës, kërkojmë që të ndërmerret diçka dhe të ndalet kjo praktikë e fryrjes së çmimeve të energjisë elektrike”, shprehet ai.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kishte nxjerrë vendim lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5.18 për qind.

Një vendim të ngjashëm ky institucion e kishte marrë edhe në muajin qershor 2014, ku kishte aprovuar vendime për rritje të tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind për konsumatorët e rregullt.

Zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Muretzaj - Bajrami në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se krahasuar me vitin e kaluar, në këtë vit çmimet janë 10 për qind më të larta.

“Sa i përket çmimeve të energjisë elektrike ky qenë një proces i hapur përmes së cilit Bordi i ZRRE-së ka procesuar tërë aplikimin që kanë bërë ndërmarrjet për çmimet e reja të energjisë që kanë qenë vitin e kaluar”, thekson ajo.

Ajo ka treguar se tarifat e energjisë elektrike të përcaktuara vitin e kaluar kanë reflektuar një kosto minimale e cila do të mbulonte shpenzimet që shkaktohen për ndërmarrjet në mënyrë që t’i ofrohet konsumatorëve një shërbim i qëndrueshme me energji elektrike.

Murtezaj ka bërë të ditur se periudha e re tarifore do të fillojë serish më 1 prill.

Ajo nuk ka dhënë detaje se a mund të ketë ngritje të çmimit të energjisë apo rënie.

“Ne jemi në proces të shqyrtimit të aplikacioneve që kanë dorëzuar ndërmarrjet ata kanë paraqitur kostot e tyre, aktualisht nuk mund të konkludojmë asgjë pasi që ekspertët tanë janë duke i shqyrtuar këto aplikacione dhe se shpejti do të bëhen publike kërkesat e tyre për të hyrat e lejuara”, thekson ajo.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike që kishte ndodhur në muajin gusht të vitit që lëmë pas pati “detyruar” shoqëritë civile që të organizojnë një aksion për të mbledhur nënshkrimet për peticion kundër vendimit të autoriteteve kompetente për shtrenjtim të energjisë.

Ndryshe, sektori i energjisë në Kosovë gjendet në situatë jo të mirë. Kosova përgjatë viteve është ballafaquar edhe me pasiguri në furnizim me energji energjike.

Për të dalë nga kjo gjendje, që nga viti 2001 janë bërë analiza nga më të ndryshmet, si nga institucionet vendore, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme, por që ende nuk është arritur që Kosova të shkarkohet nga mungesa e energjisë elektrike.

XS
SM
MD
LG