Ndërlidhjet

Obama, Cameron: Do t’i mposhtim rrjetet terroriste


Uashington, 16 janar 2014.
Uashington, 16 janar 2014.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kryeministri i Britanisë, David Cameron, janë zotuar se do të ndajnë ekspertizat e vendeve të tyre, për të parandaluar radikalizmin dhe për të trajtuar “ekstremizmin e dhunshëm”.

Cameron e ka bërë publik këtë plan pas bisedimeve me presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Po ashtu është thënë se task-forcat do të raportojnë te dy liderët brenda gjashtë muajsh.

Në konferencën e përbashkët për media, Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e tyre do të punojnë njësoj për të parandaluar sulmet dhe për t’i mposhtur rrjetet terroriste.

“Ky fenomen i ekstremizmit të dhunshëm – ideologjia, rrjetet, kapaciteti për të rekrutuar të rinj – ka metastazuar dhe është përhapur. Ai ka dëmtuar komunitetet në gjithë botën”, ka thënë Obama.

Cameron, në anën tjetër, ka thënë se bota përballet me një ideologji helmuese që do që “të prishë njërën prej feve më të mëdha, Islamin, dhe të krijojë, konflikt, terror dhe vdekje”.

“Me aleatët tanë, ne do t’i kundërvihemi kudo që të shfaqet”, ka thënë Cameron.

Komentet e dy liderëve vijnë më shumë se një javë pas sulmeve terroriste në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 17 persona.

Duke u ndalur te çështja e Iranit, presidenti Obama ka kërkuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara që të përmbahet nga sanksionet shtesë kundër Republikës Islamike, derisa negociatat për një marrëveshje të përhershme me të, rreth programit të saj bërthamor, janë në zhvillim e sipër.

Obama ka thënë se ai do t’i vë veto ligjit për më shumë sanksione kundër Iranit nëse ai vjen në tavolinën e tij derisa vazhdojnë negociatat midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Por, ai ka paralajmëruar se nëse Irani refuzon t’i thotë ‘po’ marrëveshjes dhe nuk ofron siguri se nuk është duke krijuar fshehurazi armë bërthamore, ai do të shkojë në Kongres dhe do të kërkojë ndëshkime shtesë.

Cameron ka thënë se ekziston një perspektivë e suksesit në bisedimet me Iranin dhe se ai ka kontaktuar senatorët amerikanë për këtë çështje.

Komenetet e Obamës dhe të Cameronit janë bërë pasi sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka zhvilluar një takim njëorësh në Paris me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Ky ka qenë takimi i tretë i tyre rreth marrëveshjes eventuale bërthamore brenda dy ditëve të kaluara.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile paqësore, të tilla si gjenerimi i energjisë dhe hulumtimet mjekësore.

Cameron ka qëndruar në Uashington për vizitë dyditore.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG