Ndërlidhjet

logo-print

Normat e larta të papunësisë në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, duhet të jenë një alarm për Qeverinë e Kosovës. Të dhënat zyrtare të cilat flasin për një papunësi 30 për qind, sipas ekonomistëve nuk janë reale. Papunësia në Kosovë thonë ata mund të ketë kaluar 50 për qind.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thekson se zbutja e nivelit të lartë të papunësisë duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Norma e papunësisë nuk ka rënë në Kosovë përkundrazi ajo është duke u rritur dhe ajo është mbi 50 për qind. Kjo është një alarm për qeverinë. Në vendet e perëndimit kur norma e papunësisë kalon mbi 15 apo 20 për qind, qeveria automatikisht jep dorëheqje pasi që nuk është diçka në rregull, pra politika e zbatuar ekonomike nuk jep efektet e veta”, thekson profesor Limani.

Autoritetet e Kosovës shton ai, duhet të kenë një plan konkret se si të hapen vende të reja të punës. Plani konkret i cili do të mund të zbuste papunësinë në Kosovë, sipas profesorit të ekonomisë, Musa Limani është përkrahja e bizneseve vendore në veçanti sektori i prodhimtarisë.

Sipas tij, çdo biznesi në vend të cilit do t’i ofrohej përkrahje nga Qeveria e Kosovës, do të duhej të merret obligim të punësojë një anëtarë të një familje, që nuk ka asnjë të punësuar.

“Kjo mund të arrihet duke i favorizuar këto ndërmarrje të cilat marrin nga një punëtor me lehtësira të politikës fiskale me kushte më të volitshme të dhënies së kredive, pastaj lehtësira të politikës së tregtisë së jashtme, zvogëlimin e normës së tatimit. Pra ka një varg masash që mund të bëhen”, thekson Limani.

Harta sociale ka ndryshuar shumë pak gjatë 15 viteve të pas luftës në Kosovë. Shkalla e papunësisë dhe varfërisë vazhdon të mbetet e lartë, përderisa ky është viti i fundit kur Republika e Kosovës duhet të përmbush objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë globale.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë, ndërkaq shprehen se për uljen e papunësisë dhe rrjedhimisht zbutjen e varfërisë, autoritetet e vendit duhet të orientojnë politikat e tyre në zhvillimin e sektorit privat.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se bartës i proceseve ekonomike në Kosovë është vet sektori privat.

Sipas tij, vetëm sektori privat mund të krijojë vende të reja të punës dhe se sektori privat ka nevojë për mbështetje dhe mbrojtje institucionale.

“Në qoftë se mbështetet sektori privat, në veçanti sektori prodhues, atëherë ardhmëria në punësim do të jetë shumë e ndritshme. Mirëpo, mjerimi më i madh i një shoqërie është kur administrata publike ose qeveria është ajo që krijon vende të reja të punës dhe sa më tepër krijon vende të reja të punës qeveria ose institucionet, shumë më e madhe është varfëria dhe perspektiva e të rinjve”, thotë Gërxhaliu.

Sidoqoftë, në të gjitha zgjedhjet, qoftë të përgjithshme apo lokale, subjektet politike kanë premtuar uljen e shkallës se papunësisë dhe varfërisë, por në realitet papunësia në Kosovë ka mbetur problem thelbësor më tepër se një dekadë.

Trendi në rritje i migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore është potencuar se është shkaktuar nga niveli i lartë i papunësisë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG