Ndërlidhjet

OSBE: Dënimi i gazetarit – pengesë për lirinë e mediave në Maqedoni


Dunja Mijatoviq
Dunja Mijatoviq

Përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviq, sot e ka dënuar arrestimin e gazetarit në Maqedoni, Tomisllav Kezharovski, pasi ishte dënuar me dy vjet burg nga Gjykata e Apelit në Shkup.

“Kjo që Kezharovski është privuar mëtutje nga liria e tij është e papranueshme”, ka thënë Mijatoviq, dhe ka shtuar se “gjithnjë e ka shprehur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe punën e judikaturës, por ky vendim dhe arrestimi i shpejtë i natës së kaluar, ishte shumë zhgënjyes dhe përgjigje jopërkatëse”.

Pas pesë muajve të paraburgimit, gazetari Kezharovski, ishte dënuar në tetor të vitit 2013, për një artikull të shkruar në vitin 2008, në të cilin ai është akuzuar se e ka zbuluar identitetin e një dëshmitari në një rast të vrasjes. Prej atëherë ai ishte në arrest shtëpiak.

Një gjykatë e apelit e ka zvogëluar dënimin nga 4.5 në 2 vjet burgim, ndërsa gjykata ka vendosur që Kezharovski të burgoset për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Në mbrëmje të 16 janarit, policia e mori Kezharovskin në shtëpinë e tij dhe e dërgoi në burg,

“Burgosja e gazetarëve për atë që thonë ose shkruajnë është e papranueshme në demokraci”, tha në deklaratën e saj për media, Dunja Mijatoviq e OSBE-së, dhe ka shtuar se “vendimi për burgosjen e Kezharovskit paraqet precedent të rrezikshëm për media të lira dhe gazetari investigative”.

Dunja Mijatoviq ka kërkuar që “autoritetet në këtë vend ta ulin presionin ndaj mediave dhe të respektojnë zëra të lirë dhe kritikë dhe Kezharovskin ta lirojnë menjëherë”.

XS
SM
MD
LG