Ndërlidhjet

Iran: Kërkohet “vullnet politik” për bisedimet atomike

  • RFE /RL

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, thotë se kërkohet “vullnet politik” për të bërë progres në negociatat lidhur me programin bërthamor të Iranit, por ai beson se një progres i tillë është i “mundshëm”.

Këto komente ai i bëri mbrëmë vonë në Gjenevë të Zvicrës, pasi ishte kthyer nga Parisi, ku kishte biseduar me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, dhe me minsitrin e jashtëm të Francës, Laurent Fabius.

Zoti Zarif u tha gazetarëve se ai kishte biseduar, po ashtu, me zëvendësministrin e jashtëm rus, Sergei Ryabkov, dhe se pret që të bisedoj me telefon edhe me sekretarin e jashtëm britanik, Phillip Hammond.

Pritet që përfaqësuesit amerikanë dhe ata iranianë do t’i vazhdojnë bisedimet në praninë e delegacionit të Bashkimit Evropian.

Poashtu, pritet që bisedime të ketë edhe të dielën.

Irani është i angazhuar në bisedime me grupin 5+1, që përbëhet nga Kina, Franca, Rusia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, plus Gjermania, në të cilat synohet kufizimi i programit atomik iranian në këmbim për lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare.

Irani i ka hedhur poshtë akuzat se synon prodhimin e armatimit atomik.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama, mbrëmë vonë, ka kërkuar që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të përmbahet nga imponimi i sanksioneve të freskëta kundër Iranit, derisa po zhvillohen negociata për arritjen e marrëveshjes së përhershme atomike.

“Kongresi duhet të jetë i vetëdijshëm se nëse kjo përpjekje diplomatike dështon, atëherë rreziqet dhe gjasat rriten që kjo të përfundoj duke qenë në një pikë të konfrontimit ushtarak, dhe Kongresi duhet ta ketë parasysh këtë, po ashtu. Pastaj, kjo do të duhet të debatohet nga populli amerikan”, tha Barack Obama.

Sipas presidentit amerikan, uniteti ndërkombëtar për këtë çështje e ka izoluar Iranin dhe ka detyruar atë të zhvilloj negociata serioze.

“Aktualisht në tavolinë ne kemi një seri të negociatave gjatë disa mujave të ardhshëm për të përcaktuar nëse Irani do të pajtohet ose jo, dhe ajo që është e mrekullueshme është uniteti që ne e kemi mbajtur me botën në izolimin e Iranit dhe detyrimin e tyre të zhvillojnë negociata në mënyrë serioze”, tha Barack Obama.

Megjithatë ai nuk ishte krejtësisht i sigurit se do të arrihet marrëveshje.

“Gjithmonë kam thënë se gjasat që ne aktualisht të kemi marrëveshje diplomatike janë më të vogla se 50%”, tha Barack Obama.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG