Ndërlidhjet

logo-print

Një sasi e vogël e derivateve të naftës që importohet nga vende të ndryshme të Evropës në Kosovë, i nënshtrohet kontrollit për cilësi në dogana, kështu që ky produkt vazhdon të jetë i dyshimtë.

Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovës.

Fadil Berjani, udhëheqës i kësaj shoqate tha se as tre për qind e derivateve që hyjnë në Kosovë, nuk i nënshtrohen kontrollit për cilësi, pavarësisht faktit se kjo çështje, sipas tij,është obligim sipas ligjeve në fuqi.

"Kontrollimi i cilësisë në Kosovë është obligim. Brenda 24 orësh në Kosovë minimum hyjnë 1.5 milion litra derivate, kurse vetëm rreth tre për qind kontrollohet cilësia. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka pasur interes që ta kontrollon cilësinë", tha Berjani.

Cilësia e Produkteve të Naftës, nënkupton vlerat e përcaktuara të përbërësve dhe treguesve të cilësisë përmes legjislacionit për produktet e naftës në përputhje me standardet evropiane.

Edhe zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë pranojnë se kontrolli i cilësisë se karburanteve të lëngta të naftës në Doganat e Kosovës kontrollohet deri në tre për qind.

Sipas tyre, trupat e Akredituar për Vlerësim të Konformitetit në Dogana, bëjnë njohjen e certifikatave të konformitetit dhe më këtë dokument lejohet hyrja e derivateve në vend.

Por, Fadil Berjani, pohon se këta trupa bëjnë vetëm shikimin e dokumenteve në emër të cilësisë, përshkruajnë rezultate pa bërë fare analiza.

Lulzim Syla, kryeinspektor i Tregut në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pranon se kontrolli i cilësisë është në nivel të ulët, por ai thotë se cilësia e naftës është në nivelin duhur.

“Sipas të dhënëve që kemi nga Doganat e Kosovës, 50 deri në 70 auto- bote hyjnë brenda një dite në Kosovë, aty ka ditë që nuk bëhet asnjë analizë. Aty shkohet vetëm më njohjen e certifikatave të konformitetit, kështu që naftëtarët kanë të drejtë, që nëpër pikat doganore, importit të naftës analizat i bëhen vetëm tre për qind”, thekson Syla.

Ndërkaq, sa i përket kontrollimit të cilësisë nëpër pikat e karburanteve të shitjes në tregun e Kosovës, Lulzim Syla, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se inspektorët që janë vetëm pesë, brenda një viti marrin deri në 700 mostra.

“Numri i mostrave që marrim brenda një viti, lëviz nga 600 deri 700 si për naftë ashtu edhe për benzinë. Është numër i vogël, sepse nuk ka edhe punëtorë të mjaftueshëm, sepse sektori i inspektoratit i ka vetëm 5 inspektor: një inspektor i lartë dhe katër inspektorë që dalin në terren".

Syla tregon se gjatë inspektimit të sektorit të naftës, 145 lëndë të dyshimta janë dërguar në gjykatë.

Sipas ligjeve në fuqi, subjekti që është i licencuar për shitjen më shumicë dhe ka kryer mashtrim në cilësinë e naftës dhe produkteve të saj, i shqiptohet gjoba nga 30 deri në 60 mijë euro, kurse personi përgjegjës që ka blerë këtë naftë dhe shet në pikat e karburantëve, gjobitet në shumën prej 5 deri në 10 mijë euro.

Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, kanë pohuar se sa i përket infrastrukturës së cilësisë, kjo ministri në bashkëveprim mw institucionet tjera kompetente, si Doganat, Administrata Tatimore dhe Policia e Kosovës do të punojnë në vazhdimësi të rritet niveli i kontrollit dhe të luftohet aktiviteti jo formal i operatorëve të naftës dhe derivateve të saj.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG