Ndërlidhjet

logo-print

Sulmet terroriste në Paris dhe situata e sigurisë ne Evropë, ishin temat e mbledhjes së thirrur nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me përfaqësuesit më të lartë të sigurisë në vend.

Në takimin ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, u diskutua për mënyrën se si Shqipëria duhet të reagojë për të përballuar një situatë të mundshme.

Presidenti i Republikës tha në fjalën e tij se “Shqipëria është ndeshur me fenomenin e luftëtarëve të huaj. Kontingjente nga Shqipëria ndodhen në organizata terroriste në Irak dhe Siri. Janë raste të evidentuara…”

Mes të tjerash presidenti Nishani theksoi se, duke marrë në konsideratë faktin që Shqipëria ka kufij dy nga vendet anëtare të BE-së, kërkohet që të avancojmë më tej, në përmirësimin e të gjitha mekanizmave, që janë bërë domosdoshmëri, edhe në aspektin e trajnimit të resurseve njerëzore të këtyre institucioneve që kanë për detyrë kryesore goditjen e këtyre celulave.

Ndërsa kryeministi Rama tha se Shqipëria është plotësisht e ekspozuar ndaj terrorizmit ndërkombëtar.

“Disa shqiptarë kanë humbur jetën në luftime në organizatat terroriste. Veprat si sulme me tritol kundër linjave të energjisë, trafikimi i eksplozivëve janë krime të mirëfillta terrori megjithëse janë trajtuar me dënime të lehta nga drejtësia”, tha Rama.

Mbledhja ka vazhduar më tej pa praninë e mediave.

Më 11 mars 2013 policia shqiptare arrestoi 8 persona ndërsa shpalli në kërkim 6 të tjerë nën akuzën e krijimit të celulave të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri. Gjyqi ndaj tyre vazhdon.

XS
SM
MD
LG