Ndërlidhjet

Graçanicë: Rezultatet preliminare - fiton Kostiq


Votimet në Graçanice, foto nga arkivi

Votimet në Graçanice, foto nga arkivi

Rezultatet preliminare të votimeve për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Graçanicës, të cilat i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tregojnë se fitues i këtyre zgjedhjeve është kandidati i Listës Serbe, Vladeta Kostiq, me rreth 64 për qind të votave.

Ai ka marrë 4 mijë e 614 vota nga 7 mijë e 270 fletëvotime të rregullta, të cilat janë numëruar. Votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Graçanicës ka përfunduar, dhe në orën 19:00 të dielën janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet, njoftojnë zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

***

Për të parin e komunës së Graçanicës kanë garuar: Vladeta Kostiq nga Lista Serbe, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresiste, Dragisha Miriq nga Lëvizja Popullore për Kosovën dhe Shaip Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë publik raportin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Graçanicës, për numrin e votuesve deri në orën 19:00, kur edhe ka përfunduar votimi.

“Dalja e votuesve në zgjedhje është 7 mijë e 563 votues apo 37. 39 për qind të votuesve. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale të viti 2013, deri në të njëjtën kohë, kanë votuar 9 mijë e 392 votues, apo 48. 92 për qind e votuesve”, ka theksuar Daka.

Ndryshe, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, gjatë ditës së dielë ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarit të KQZ-së nga Lista Serbe, Nenad Rikalo, i cili është cituar në mediet serbe të ketë thënë se “lista votuese në komunën e Graçanicës i adresohet regjistrimit civil të vitit 1991 dhe që bazuar në këtë regjistrim është formuar lista votuese e tanishme".

“Këto janë deklarata të paqëndrueshme, deklarata politike të një anëtari, deklarata të tij personale, nga të cilat ne si KQZ distancohemi në tërësi. Në fakt, kisha dashur që ta përkujtoj opinionin se regjistrim civil në vinin 1991 as që ka pasur”.

Daka ka theksuar se Agjencia e Regjistrimit Civil nga e cila KQZ e merr ekstraktin, është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ky regjistër është bazë për listën votuese, në bazë të së cilës votojnë qytetarët e Graçanicës.

Ndërkaq, në bazë të listës përfundimtare të votuesve të komunës së Graçanicës, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numri i personave me të drejtë vote ka qenë më i madh se sa në zgjedhjet e kaluara.

“Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 20 mijë e 229 dhe nëse bëjmë krahasim me zgjedhjet e fundit, kemi një rritje prej 606 votues apo 3.09 për qind”, shpjegoi Elezi.

Zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor, kanë bërë të ditur se në orën 7:00 të mëngjesit të dielën, ishin hapur të gjitha qendrat e votimit në komunën e Graçanicës.

Kanë qenë 10 qendra të votimit me 27 vendvotime. Procesi i votimit, që nga fillimi është zhvilluar normalisht dhe nuk është raportuar ndonjë parregullsi.

Në anën tjetër edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë konfirmuar se deri në fund të procesit të votimit nuk është shënuar asnjë rast apo incident që do ta cenonte procesin zgjedhor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia, si përgjegjëse për rendin dhe qetësinë publike, ka ndërmarrë masat paraprake për krijimin e një ambienti të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

“Ju njoftojmë se në aspektin e zbatimit të planit operativ policor, çdo gjë ka shkuar në pajtim me planin. Çdo gjë ka qenë në rregull dhe deri më tani nuk është raportuar ndonjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit”, ka theksuar Hoxha.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës në Graçanicë po mbahen pas tërheqjes nga ky post i kryetarit të mëparshëm Branimir Stojanoviq, i cili aktualisht është në postin e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG