Ndërlidhjet

Fitorja e Kostiqit në Graçanicë, jo befasuese


Ilustrim, foto nga arkivi

Ilustrim, foto nga arkivi

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetarin e komunës së Graçanicës, të cilin e ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tregon se kandidati i Listës Serbe, Vladeta Kostiq, ka fituar me rezultat bindës prej 64. 90 për qind të votave, karshi tre kandidatëve tjerë në këtë garë, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresiste, Dragisha Miriq nga Lëvizja Popullore për Kosovën dhe Shaip Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vladeta Kostiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për të fitorja në këto zgjedhje ka qenë e pritshme, por jo edhe rezultati i lartë i fitores..

“Thënë sinqerisht, e kam pritur fitoren, por jo me përqindje kaq të lartë. Unë u jam falënderues qytetarëve të mi dhe njëkohësisht konsideroj se mbi mua peshon përgjegjësi e madhe, pikërisht ndaj atyre qytetarëve. Unë do të jap gjithçka nga vetja dhe gjithçka që është në fuqinë time politike, njerëzore dhe morale, që këtë besim ta arsyetoj”, ka thënë Kostiq.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq nga Graçanica, vlerëson se qytetarët e komunës së Graçanicës nuk duhet të presin asgjë më shumë nga kryetari i ri se sa nga kryetari i mëparshëm i kësaj komune, Branimir Stojanoviq.

Nojkiq thotë se fitorja e kandidatit të Listës Serbe, Kostiq, sipas rezultateve preliminare nga KQZ-ja, nuk është ndonjë befasi.

“Për mua kjo nuk është befasi. Kjo është vazhdimësi e një politike. Normalisht që Lista Serbe apo partia në pushtet në Beograd ka bërë atmosferë të tillë, sa që njerëzit kanë votuar për Listën Serbe ,gjegjësisht për Vladeta Kostiqin".

"Fushata tregoi se nuk ekziston rivalitet i vërtetë ndërmjet Kostiqit dhe Rashiqit, sepse në atë fushatë, e cila gati se ka kaluar pa u hetuar, është ndjerë se kjo fitore, pothuajse ka qenë e garantuar. Por, megjithatë, ky ka qenë një tentim që të tregohet se demokracia ka qenë e pranishme”.

Ndryshe, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë theksuar se dalja në votime e qytetarëve të Graçanicës , ka shënuar ulje për rreth 11 për qind në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Kostiq shpreh mendimin se shkaktarë të uljes së përqindjes së qytetarëve pjesëmarrës në votim janë: mungesa e votave të qytetarëve të zhvendosur, koha jo e mirë, zgjedhjet e shpeshta në periudhë të shkurtër kohore dhe, siç tha ai, tejngopja e qytetarëve me zgjedhje...

“Unë, për çdo rast kam pritur pjesëmarrje të mirë dhe më vjen mirë që dalja e qytetarëve ka qenë në nivel të kënaqshëm, duke pasur parasysh që popullata, kudo që të jetojë dhe çfarëdo nacionaliteti të ketë, duhet të jetë aktiv politikisht dhe askush nuk mundet të ndikoj në ngjarje nëse nuk është politikisht aktiv”, theksoi Kostiq.

Por, Nojkiq e sheh situatën ndryshe. Ai shpreh mendimin se edhe përqindja e më e ulët e daljes në votime, në krahasim me vitin 2013, nuk është befasuese, për faktin se nuk ka pasur votime me postë, por vetëm për ata që jetojnë në Kosovë dhe që kanë shkuar në vendvotime.

“Në anën tjetër, njerëzit, në të vërtetë, e kanë parë se kjo është vazhdimësi e një politike dhe shumë prej tyre nuk kanë qenë të motivuar që të dalin për të votuar”, theksoi Nojkiq.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Graçanicës, janë zhvilluar pas tërheqjes nga ky post i kryetarit të mëparshëm Branimir Stojanoviq, i cili ka aktualisht është në postin e zëvendës kryeministrit në Qeverinë e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG