Ndërlidhjet

Intensifikohet beteja për aeroportin e Donjeckut


Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se Kievi ka rikthyer kontrollin mbi rajonin lindor të vendit, ku luftimet midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë janë intensifikuar gjatë fundjavës.

Poroshenko ka thënë se Ukraina nuk do të heqë dorë as edhe nga një inç i tokës së saj.

“Ne nuk frikësohemi dhe askush nuk mund të na frikësojë, sepse e vërteta është në anën tonë; e gjithë bota është në anën tonë dhe Zoti është në anën tonë. Andaj, fitorja do të jetë e jona – fitore kundër terrorit dhe kundër pushtuesve. Ne do të jemi fitimtarë në luftën tonë për paqe”, ka thënë Poroshenko.

Raportet thonë se forcat qeveritare të Ukrainës janë duke vazhduar betejën me rebelët pro-rusë për kontrollin e aeroportit të Donjeckut.

Komanda e ushtrisë rebele ka thënë se forcat e saj kanë zmbrapsur një ofensivë të qeverisë në një urë midis aeroportit dhe qytetit. Ura Putylivskiy është shkatërruar gjatë luftimeve.

Aeroporti në lindje të Ukrainës është nën rrënoja, pas muajsh të përleshjeve intensive.

Qeveria e Kievit dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për injorimin e apeleve që armëpushimi të respektohet.

Të dielën, zëdhënësi i ushrisë së Ukrainës, Andriy Lysenko, ka thënë se trupat “kanë pasur sukses në pastrimin, pothuajse tërësisht, të territorit të aeroportit”. Ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Një oficer i lartë i rebelëve në Donjeck ka thënë se tetë ushtarë rebelë janë vrarë dhe 33 të tjerë janë plagosur në luftimet e së dielës.

Përleshjet kanë vazhduar edhe sot, ka thënë ushtria e Ukrainës, duke akuzuar Rusinë për mbështetje të separatistëve.

Udhëheqësi i rebelëve, Alexander Zakharchenko, ka thënë se “të gjitha përpjekjet e ushtrisë së Ukrainës për të marrë kontrollin e aerportit dhe për t’u hakmarrë për humbjen e vitit të kaluar, kanë dështuar”.

Zyrtarët rusë thonë se presidenti i Ukrainës, Poroshenko, nuk i është përgjigjur propozimit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për palët ndërluftuese që të tërheqin armët e rënda dhe të ndalojnë luftimet.

Megjithatë, Ukraina këmbëngul se do që armëpushimi i shtatorit, i arritur në Minsk, të zbatohet. Ministria e Jashtme i ka bërë sërish thirrje Rusisë që të tërheqë trupat dhe armët e rënda nga zona e konfliktit.

Ukraina thotë se rreth 8,500 trupa të rregullta të Rusisë ndihmojnë rebelët. Moska mohon se ka dërguar trupa të rregullta dhe armë të rënda, por pranon se “vullnetarët” rusë janë duke ndihmuar rebelët.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka lëshuar një deklaratë për shtyp, përmes së cilës kryesuesi i saj, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka dënuar ashpër rritjen e fundit të dhunës.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që menjëherë të investojnë përpjekjet e tyre në shtensionimin e situatës, që të respektojnë armëpushimin dhe të angazhohen në mënyrë aktive me OSBE-në në zbatimin e plotë të dokumenteve të Misnkut”, ka thënë Daçiq.

Më shumë se 4,700 njerëz janë vrarë dhe shumë më shumë civilë janë zhvendosur prejse konflikti në lindje të Ukrainës ka nisur në muajin prill të vitit të kaluar.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG