Ndërlidhjet

Doracak kundër luftës


Doracaku kundër luftës
Doracaku kundër luftës

Me klimën e saj të butë dhe reaktorin e mbyllur bërthamor, Lituania, e pavarur mbi 20 vjet, nuk ka qenë e rrezikuar as nga katastrofat natyrore, as nga ato teknologjike.

Por, një doracak me përgjegje emergjente, i cili ka nisur të shpërndahet nga Ministria e Mbrojtjes, ka për qëllim të përgatisë lituanezët për një katastrofë edhe më të keqe se rrjedhja kimike apo uragani i rastit.

Udhëzuesi me 98 faqe, i cili këtë javë ka dalë në libraritë e vendit baltik, synon t’iu hapë sytë qytetarëve për mundësinë e ndërhyrjes, pushtimit dhe konfliktit të armatosur.

Doracaku, i titulluar “Si të veprohet në situata ekstreme apo raste të luftës”, mund të duket si një masë tepër shqetësuese për një vend si Lituania, i cili ka jetuar nën kontrollin sovjetik nga viti 1940 deri më 1991, por që ka gëzuar sigurinë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO qysh më 2004.

Megjithatë, zyrtarët në Vilnius thonë se viti i kaluar në Ukrainë, me aneksimin e Krimesë dhe luftimet vdekjeprurëse në lindje, ka treguar se Rusia mbetet rrezik për të gjithë fqinjët e saj.

“Kur Rusia ka nisur agresionin e saj në Ukrainë, qytetarët tanë në Lituani e kanë kuptuar si fqinji ynë nuk është miqësor”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Juozas Olekas, në një intervistë për agjencinë Reuters.

Shembujt e Gjeorgjisë dhe Ukrainës – që të dyja kanë humbur pjesë të territorit të tyre në luftërat me Rusinë ose separatistët pro-rusë – “tregojnë se nuk mund të përjashtojmë një situatë të ngjashme këtu”, ka shtuar Olekas.

Doracaku, i cili mund të shkarkohet edhe nga ueb-faqja e Ministrisë së Mbrojtjes, ofron sugjerime dhe këshlla praktikë për gjithçka – nga shndërrimi i bodrumeve në strehimore deri te informacionet se si duhet reaguar kur ushtarët e armikut shfaqen në shtëpi.

Ai po ashtu përmban udhëzime për format përkatëse të mosbindjes civile në instancën e pushtimit – sulmet, bllokadat, dezinformatat dhe organizimet online të sulmeve kibernetike kundër armikut.

Edhe pse publikimi nuk e përmend në mënyrë të veçantë Rusinë, ai ofron këshilla se si të veprohet në një situatë të “luftës hibride”, e cila përfshin ushtarë të armatosur pa shenja dallues – një referencë e qartë kjo për luftën në Ukrainë, ku Moska vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat se ofron armë dhe ushtarë, në mbështetje të separatistëve.

“Qytetarët lituanezë, të cilët vënë re grupe të armatosura, të panjohura dhe të paidentifikuara, që operojnë në lagjen e tyre apo gjetkë, duhet të njoftojnë autoritetet”, këshillon doaracaku, duke shtuar se forcat e armatosura të Lituanisë kanë njësi të reagimit të shpejtë, të cilat “mund t’i përgjigjen kërcënimit dhe ta neutralizojnë atë”.

Pavarësisht anëtarësisë së saj në NATO dhe BE, pozita gjeografike e Lituanisë e lë atë gjithmonë në rrezik, pasi ndodhet midis Bjellorusisë, që është shumë miqësore me Rusinë, dhe Kaliningradit të Rusisë, një enklavë bregdetare që strehon Flotën e Detit Baltik të Moskës.

Kremlini, ndërkohë, ka nisur të përdorë një tjetër formë të presionit kundër Lituanisë, duke kërcënuar se do të ndjekë penalisht rreth 1,500 lituanezë, të cilët kanë braktisur shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Bashkimin Sovjetik.

Marrë parasysh të gjitha këto, lituanezët këshillohen që të bëjnë plane rezervë në rast evakuimi: të mbajnë rezervuaret e makinave të mbushura me derivate, të blejnë ushqime paraprakisht dhe të kenë parasysh nevojat e veçanta të anëtarëve më të vjetër të familjes, fëmijëve të vegjël dhe kafshëve shtëpiake.

Në ndërkohë, Lituania është duke forcuar ngadalë aparatin e saj ushtarak, duke synuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për 1.1 për qind të bruto prodhimit të brendshëm këtë vit dhe për 2 për qind – shifër e rekomanduar nga NATO-ja – më 2020.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG