Ndërlidhjet

PE “e brengosur” për personat “e dyshimtë” në Qeverinë e Kosovës

  • RFE /RL

Në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian është paraqitur draft-raporti për Kosovën në leximin e parë, sikur edhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të përfshira në procesin e stabilizim-asociimit apo në procesin e zgjerimit të BE-së.

Raportin në fjalë për Kosovën e ka përpiluar deputetja Ulrike Lunacek, e cila është raportuese për Kosovën edhe në këtë përbërje të Parlamentit Evropian.

Në këtë draft-raport, Parlamenti përshëndet tejkalimin e ngërçit politik në Kosovë, por shpreh brengosje për disa emërime në qeveri të personave, siç thuhet, me të kaluar të dyshimtë.

Po ashtu, Parlamenti shpreh keqardhje për faktin se Qeveria e re e Kosovës ka një numër të tepruar të ministrave dhe zëvendësministrave, duke pasur parasysh ngarkesën e buxhetit të Kosovës.

Në raport thuhet se ka mungesë të madhe të rezultateve konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sikurse në vitete e mëparshme, edhe kësaj radhe Parlamenti Evropian u bën thirrje vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Po ashtu, përsëritet edhe thirrja që sa më parë të merret vendimi për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Edhe një herë, deputetët e Parlamentit Evropian bëjnë ftesë për përparim në procesin e dialogut për liberalizim të vizave për qytetarët kosovarë.

Në draft-raport nuk është lënë pa u përmendur edhe EULEX-i, për të cilin është shprehur mbështetje.

Megjithatë, janë shprehur shqetësime serioze lidhur me akuzat për dyshime për korrupsion brenda këtij misioni të BE-së, të cilat janë paraqitur kohë më parë.

Parlamenti Evropian kërkon nga të gjithë aktorët që të veprojnë me sinqeritet, në mënyrë transparente, për të hetuar të gjitha rastet, në mënyrë që të ruhet kridibilit eti i EULEX-it.

Lunacek, si raportuese për Kosovën në PE, ka dhënë edhe disa pika që kanë të bëjnë me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa përsëritet përshëndetja për arritjet e deritashme në këtë dialog, përsëritet edhe thirrja që të ketë më shumë përparim në zbatimin e marrëveshjeve, që, sipas Lunacekut, kanë ngecur edhe për shkak të procesve zgjedhore në Kosovë dhe Serbi.

Pritet që deputetët e Parlamentit Evropian të paraqesin amandamente në këtë propozim-raport, për të cilin do të votohet së pari në Komitetin për Politikë të Jashtme e më vonë edhe në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

XS
SM
MD
LG