Ndërlidhjet

Kosova zotohet për zero tolerancë ndaj ekstremizmit


Ilustrim, foto nga arkivi

Ilustrim, foto nga arkivi

Autoritetet e Kosovës zotohen se do të tregojnë zero tolerancë ndaj çdo ekstremizmi dhe radikalizmi fetar. Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme në qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është lidere në rajon në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit.

Këto komente, ai i ka bërë pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me homologun austriak, Sebastian Kurz, i cili të hënën dhe të martën ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë të Kosovës.

Sipas ministrit të jashtëm të Kosovës, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkret për luftimin dhe parandalimin e të gjitha elementeve që paraqesin rrezik për Kosovën dhe shoqërinë.

"Ne në Kosovë, sikurse edhe vendet tjera të Evropës, kemi pasur qytetarë që kanë shkuar në luftërat në Siri apo Irak, por mund të them lirisht se Kosova është lidere në rajon në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizimit".

"Ka ndërmarrë hapa konkret dhe të rëndësishëm ndaj të gjithë elementeve që kanë paraqitur rrezik për shoqërinë e Kosovës, qofshin ata pjesëmarrës në luftërat në Siri apo Irak apo ndaj atyre që e kanë nxitur këtë shkuarje dhe urrejtje", ka theksuar Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka deklaruar po ashtu se institucionet e vendit janë duke nxjerrë edhe ligjin që ndalon shkuarjen e qytetarëve apo pjesëmarrjen në luftëra të huaja të qytetarëve.

Ekstremizmi dhe radikalizmi fetar, tashmë po paraqitet si një problem global, ku nuk është lënë anash as Evropa. Ministri austriak Sebastian Kurz ka thënë me këtë rast se pjesëmarrja e evropianëve në luftërat e Sirisë dhe Irakut është shumë e madhe dhe ky numër është shqetësues.

"E di që jeni angazhuar në kultivimin e dialogut ndërfetar dhe se kjo punë ka ecur shumë mirë, por edhe që jeni të gatshëm të përfshiheni në luftën kundër ekstremizmit në mënyrë që islami në Evropë të jetë ai që ka qenë deri më tani për të mos i lënë vend ekstremizmit", ka deklaruar Kurz.

Sipas tij, fakti që pesë mijë njerëz nga Evropa kanë shkuar në Siri edhe në Irak për të luftuar, tregon se kjo çështje paraqet shqetësim dhe rrezik masiv të sigurisë nëse ata kthehen në Evropë.

Në mesin e tyre ka edhe qytetarë nga Kosova, por deri më tash numri i tyre i saktë nuk dihet. Besohet se rreth 20 prej tyre janë vrarë gjatë luftimeve në këto vende.

Gjatë kësaj vizite, ministri austriak është pritur edhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca në këtë takim është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset integruese të vendit, për kultivimin e tolerancës ndërfetare në Kosovë dhe për bashkërendimin ndërkombëtar në adresimin e kërcënimeve ekstremiste.

Po ashtu, Jahjaga së bashku me ministrin austriak Kurz, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u takuan me Ipeshkvin e Ipeshkëvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava, si dhe me Peshkopin e Dioqezës Rashkë-Prizren, Teodosije.

Presidentja Jahjaga është zotuar se Kosova duhet t'i takojë Evropës së vlerave, unitetit, diversitetit dhe multikulturalizmit.

Përndryshe, ministri austriak ka biseduar me autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Isa Mustafa edhe në lidhje me proceset tashmë në vijim e sipër, si dialogu me Beogradin, migrimet ilegale të shtetasve të Kosovës për në vendet e Bashkimit Evropian dhe çështje tjera.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG