Ndërlidhjet

Maqedoni: Grevë e përgjithshme në arsim


Shkup
Shkup

Punonjësit e arsimit janë hedhur në grevë pas dështimit të negociatave me qeverinë për rritjen e pagave dhe të kërkesave tjera që kryesisht kanë të bëjnë me testimin ekstern, administratën pedagogjike dhe kushte më të mira në punë.

Sipas Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, greva po respektohet nga anëtarësia e saj, por drejtues të disa komunave kanë njoftuar për grevë të pjesshme pasi ka shkolla ku mësimi ka nisur normalisht në ditën e parë të gjysmë-vjetorit të dytë.

Kryetari i Sindikatës, Jakim Nedelkov, thotë se kanë qenë të detyruar të nisin grevën për shkak të mungesës së gatishmërisë së Ministrisë së Arsimit për realizimin e kërkesave të tyre.

“Tre muaj, që nga tetori i vitit të kaluar e deri në dhjetor kemi negociuar. Ishin negociata të pafrytshme pasi për asgjë nuk arritëm të merremi vesh. Ministritë përkatëse nuk ofruan asnjë zgjidhjet për kërkesat tona për përmirësimin e gjendjes në sferën e arsimit".

"Ne kërkojmë kushte për punë, rritje të pagave për 25 për qind, heqjen e dënimeve për mësuesit për shkak të vlerësimeve lidhur me testim ekstern dhe konsultimin e punonjësve të arsimit gjatë miratimit të programeve mësimore, racionalizimin administratës pedagogjike“, thotë Nedelkov.

Ai ka akuzuar pushtetin lokal në më shumë komuna për presione të fuqishme ndaj mësuesve për të mos nisur grevën duke i kërcënuar madje me ndalesa në rrogë, e deri në zëvendësimin e tyre me kuadër tjetër.

Nedelkov ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë atyre që kanë tentuar të pengojnë grevën si e drejtë e garantuar me kushtetutë.

Punonjësit e arsimit hezitojnë të flasin publikisht për presione, apo shkaqet e grevës nga frika e masave ndëshkuese, por disa që pranuan të flasin, thonë se gjendja në arsim është katastrofale, me kushte të rënda në punë, paga të ulëta dhe programe shkollore të miratuar pa konsultimin e tyre, që edhe më shumë kanë ndërlikuara gjendjen.

Kjo në veçanti vlen për testimin ekstern të nxënësve dhe gjobat për mësuesit nëse rezultatet e këtij testimi që mbahen në fund të vitit në organizim të Ministrisë së Arsimit dallojnë shumë me ato që ata i japin nxënësve në përfundim të vitit shkollor.

“Kërkesat janë reale dhe mendoj se të gjithë punëtorët e arsimit duhet ti mbështesin, pasi arsimi është lënë anash me kushte shumë të vështira për punë. Çdo ligj që sillet për arsimin vlerësoj se në shënjestër ka punonjësit e arsimit të cilëve asnjëherë nuk ju krijohen kushte më të mira për punë", thotë Etem Xheladini nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë për rajonin e Kumanovës dhe Likovës.​

Ai thotw se qëndrimi i tyre ka qenë që të punohet në ngritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e kushteve për punë, për nxënësit dhe për punëtorët e arsimit.

"Të punosh në një shkollë ku kushtet janë të vështira, normal se edhe rezultatet do të mungojnë, ka nxënës shqiptarë të cilët ende mësojnë nëpër kontejner të improvizuar në mësonjëtore“, thotë Xheladini.

Edhe Vllado Dimovski, mësues në një shkollë fillore të Shkupit, thotë se arsimi është në gjendje katastrofale.

Sipas tij, pagat që sillen në rreth 350 euro janë qesharake nëse krahasohen me rritjen enorme të çmimeve dhe të shërbimeve tjera. Ai flet edhe për përzierjen e politikës dhe si pasojë rënien e cilësisë në arsim.

“Vlerësoj se gjendja në arsim është katastrofale pasi shumë punë janë përzier duke filluar nga tekstet shkollore, kushtet për punë, presionet e shumta politike e kështu me radhë. Pra, gjendja është më të vërtetë e rëndë dhe për këtë flet edhe fakti se 1640 arsimtarë që japim mësim janë me arsim fillor dhe të mesëm, pra nuk janë të kualifikuar apo me arsim të lartë".

"Kushtet e punonjësve të arsimit janë rënda, pagat e tyre nuk mbahet mend kur janë ngritur, përjashtuar këtu rritjen e fundit prej 1 për qind e cila është qesharake“, thotë Vllado Dimovski, arsimtar në shkollën fillore, "Alija Avdoviq", në Shkup.

Nga Ministria e Arsimit thonë se janë të gatshëm për vazhdimin e negociatave, por jo përmes kërcënimeve apo bojkotit të procesit mësimor nga i cili do të pësojnë nxënësit.

Sipas Ministrisë, mund të bisedohet për përmirësimin e mëtejmë të programeve shkollore, por jo edhe për anulimin e testimit ekstern, ndërsa sa i përket pagave, ajo mbetet në qëndrimin se kjo do të mund të rriten varësisht mundësive financiare dhe politikave buxhetore të qeverisë.

XS
SM
MD
LG