Ndërlidhjet

Obama: Hija e krizës ka kaluar


Fjalimi vjetor i presidentit Obama
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Fjalimi vjetor i presidentit Obama

Në fjalimin vjetor drejtuar kombit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka njoftuar se pas disa viteve të luftës dhe recesionit, “ hija e krizës ka kaluar” dhe se “gjendja e vendit është e fortë”.

Obama ka marrë meritat për rilindjen e vështirë të ekonomisë amerikane, me normë të papunësisë më pak se 5.6 për qind, dhe ka thënë se është koha “për të kthyer faqen e re”.

“Sonte, pas një viti të suksesshëm për Amerikën, ekonomia jonë është në rritje dhe krijimi i vendeve të punës në ritmin më të shpejtë që nga viti 1999. Norma jonë e papunësisë tani është më e ulët se para krizës financiare. Më shumë fëmijë diplomojnë, më shumë njerëz kanë sigurime dhe jemi më të lirë nga kthetrat e naftës së huaj, më të lirë seç kemi qenë në pothuajse 30 vjet”, ka thënë Obama.

Ai ka shfrytëzuar adresimin për të folur për strategjinë e tij ekonomike, përfshirë rritjen e taksave për amerikanët e pasur, për t’iu dalë në ndihmë atyre me më pak fat.

“A do të pranojmë një ekonomi ku vetëm disa prej nesh i kanë punët jashtëzakonisht mirë? Apo, do të angazhohemi për një ekonomi, e cila gjeneron të ardhura në rritje dhe shanse për të gjithë ata që bëjnë përpjekje”, ka pyetur Obama.

Ai i ka bërë thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara që të miratojë një plan të infrastrukturës, i cili siguron porte moderne, ura të forta, trena më të shpejtë dhe lidhje më të shpejta të internetit.

Ky ka qenë fjalimi i parë i Obamës drejtuar kombit në kohën kur edhe Senati, edhe Dhoma e Përfaqësuesve kontrollohen nga Republikanët.

Shumë Republikanë kanë shprehur tashmë kundërshtimet e tyre për disa pjesë të agjendës së brendshme të Obamës.

Në fjalimin e tij, presidenti u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Kongresit që të punojnë se bashku dhe të shmangin grindjet partiake.

Në rrafshin ndërkombëtar, Obama ka bërë thirrje për një “lloj më të zgjuar të udhëheqjes amerikane”, që kombinon fuqinë ushtarake dhe diplomacinë e fortë.

Obama është zotuar se do të ndjekë terroristët nga “Pakistani deri te rrugët e Parisit” dhe i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë kompetenca të reja të luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik.

“Në Irak dhe Siri, udhëheqja amerikane – përfshirë fuqinë tonë ushtarake – është duke ndaluar avancimin e Shtetit Islamik. Në vend se të zvarritemi në një luftë tjetër në terren në Lindjen e Mesme, ne jemi duke udhëhequr një koalicion të gjerë, përfshirë edhe vendet arabe, për të degraduar dhe në fund shkatërruar këtë grup terrorist. Ne jemi po ashtu duke mbështetur opozitën e moderuar në Siri, e cila mund të na ndihmojë në këtë përpjekje, dhe duke ndihmuar njerëzit gjetkë, të cilët qëndrojnë kundër ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm. Tani, kjo përpjekje do të marrë kohë. Do të kërkojë përqëndrimin tonë. Por, do t’ia dalim me sukses. Sot, i bëj thirrje Kongresit që t’i tregojë botës se ne jemi të bashkuar në këtë mision, duke kaluar rezolutën që autorizon përdorimin e forcës kundër Shtetit Islamik”, ka thënë Obama.

Ai po ashtu ka theksuar se Uashingtoni mbështet parimin se kombet e mëdha nuk mund t’i shtrëngojnë të voglat, duke kundërshtuar kështu agresionin e Rusisë dhe duke mbështetur demokracinë e Ukrainës.

Obama ka thënë se sanksionet ndërkombëtare kanë goditur Mokën, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe aksioneve të saj në lindje të Ukrainës.

Ai ka hedhur poshtë pohimet e atyre që thonë se veprimet e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, kanë qenë “shfaqje mjeshtërore e strategjisë dhe forcës”.

Në lidhje me Iranin, Obama ka paralajmëruar se sanksionet e reja që do të miratonte Kongresi, do të dëmtonin bisedimet bërthamore me Republikën Islamike dhe është zotuar se do të përdorë forcën e vetos për çdo masë të tillë.

Obama po ashtu ka thënë se anti-semitizmi që është shfaqur në disa pjesë të botës është i mjerë dhe ka hedhur poshtë etiketimet “fyese” të myslimanëve.

Obama ka thënë se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës ka skaduar dhe ka kërkuar nga Kongresi që t’i japë fund embargos së gjatë.

Ai ka thënë se rihapja e lidhjeve diplomatike me Kubën ka potencial për t’i dhënë fund trashëgimisë së mosbesimit dhe të shtrijë dorën e miqësisë për popullin kuban.

Ky ka qenë fjalimi i gjashtë i Obamës drejtuar kombit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG