Ndërlidhjet

logo-print

AI: Familjarët e të zhdukurve të trajtohen si viktima lufte


Drejtuesja e organizatës Amnesty International dhe autore e raportit të fundit të kësaj organizate, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Sian Jones, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se askush nga ata që janë përgjegjës për zhdukjen e 3,500 shqiptarëve të Kosovës, nuk është sjellë para ligjit.

Ajo ka përkujtuar se Qeveria e Serbisë nuk u ka siguruar familjeve të të zhdukurve as statusin e viktimave të luftës dhe se ato marrin më pak përfitime në krahasim me familjet e ushtarëve dhe policëve serbë, të cilët janë zhdukur jashtë kufijve të Serbisë.

Amnesty International përkujton se sipas ligjeve ndërkombëtare, zhdukjet e dhunshme nuk konsiderohen si krime të kryera deri në momentin që nuk përcaktohet fati i të pagjeturve.

“Ky nuk është diskutim akademik. E gjithë kjo ka rezultuar me atë që gati se është e pamundur hapja e hetimeve dhe procedimi i atyre që janë përgjegjës për zhdukjet e dhunshme të njerëzve, përderisa kjo nuk është e definuar me ligj apo të shndërrohet në një dispozitë ligjore”, tha Jones.

Ajo ka shtuar se Qeveria e Serbisë ka për obligim, përballë Konventën ndërkombëtare për mbrojtje nga zhdukja e dhunshme, si dhe përballë Konventës kundër torturës, që familjeve dhe të afërmve të personave të zhdukur t'u japë reparacionin apo kompensimin adekuat, përfshirë edhe kompensimet që do t’ua mundësojnë vazhdimin e jetës së tyre.

Por, sipas saj, Serbia ende nuk e ka ligjin për personat e zhdukur, të cilin do të mund ta zbatonte.

Në anën tjetër, Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë, e sheh raportin e Amnesty International si përgjigje ndaj raportit të Serbisë për të pagjeturit, të vitit 2013.

Ai ka theksuar se Serbia në raportin e saj ka përfshirë edhe Kosovën, ndërkohë që siç ka thënë ai, Kosova është shtet më vete dhe ajo tashmë e ka Ligjin për personat e pagjetur.

Gjetaj ka theksuar se Amnesty International me të drejtë përmend në raportin e saj se Serbia nuk e ka infrastrukturën e saj ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve, në kuptimin e zhdukjes me forcë.

Ai ka theksuar se i kanë kërkuar autoriteteve të Beogradit kompensimin e familjeve të personave të pagjetur, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive asnjëherë.

“Ishte dashur që ai që ka ushtruar aktin e dhunës, ai edhe të bëj kompensimin. Në këtë drejtim, asnjë hap nuk është bërë, në kuptim të kompensimit apo dëmshpërblimit, në çfarëdo forme, materiale, humane, njerëzor. Nuk është bërë deri më tash. Madje as kërkim falje nuk ka pasur nga institucionet serbe që kanë qenë shumë përgjegjëse për veprimet kriminale’, theksoi Gjetaj.

Ndryshe, Milan Antonijeviq nga Komiteti i juristëve për të drejtat e njeriut në Serbi, thotë seprojektligji për të drejtat e luftëtarëve, invalidëve ushtarak dhe civil, si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, i cili është bërë në fund të vitit të kaluar në Serbi, nuk i njeh familjet e të zhdukurve si viktima civile të luftës.

“Kjo çështje ka arritur në opinion dhe po shpresojmë se tash do të zgjidhet në mënyrë adekuate, pasi që edhe Amnesty International e ka potencuar. Serbia nuk guxon t’i mbyllë sytë para familjeve të personave të zhdukur".

"Më së paku që shteti u ka borxh atyre, është fakti se duhet t’i njohë në mënyrë adekuate dhe procedurat të udhëhiqen para gjyqësisë tonë dhe të bisedohet edhe për reparacionin, si një element i asaj drejtësie që duhet të vijë në fund”, tha Antonijeviq.

Konventa ndërkombëtare për mbrojtje nga zhdukja e dhunshme, i definon si viktima të zhdukjes së dhunshme të gjithë anëtarët e familjeve të personave të zhdukur.

Gjithashtu, Gjykata Evropiane për të drejta të njeriut e definon si veprim johuman mos informimin e familjeve të personave të zhdukur me dhunë, lidhur me atë se çfarë u ka ndodhur të afërmve të tyre, gjegjësisht, se ku janë trupat apo mbetjet mortore të tyre.

Një gjë të tillë, si tretman jo human, e sanksionon edhe Konventa kundër torturës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG