Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se grupi militant i Shtetit Islamik (IS) është problem global, porse është shënuar përparim në luftën kundër tij.
Pas një takimi në Londër të vendeve të koalicionit, i cili kryen sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, Kerry ka thënë mposhtja e grupit islamist është një detyrë madhore, që nuk ka alternativë.
“Të gjithë e dimë se Daesh, ashtu siç njihet në botën arabe, nuk është thjesht problem i Sirisë, nuk është problem i Irakut, Daesh është problem global dhe kërkon përgjigje të koordinuar, gjithëpërfshirëse dhe globale”, ka thënë Kerry.
“Ne kemi bërë përparim dhe do të vazhdojmë të bëjmë”, ka shtuar ai.
Janë rreth 60 vende në koalicionin që lufton Shtetin Islamik në Siri dhe Irak dhe që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara. Koalicioni ka kryer rreth 1,000 sulme kundër IS-it qysh në muajin gusht.
Kerry ka thënë se sulmet ajrore, së bashku me luftimet nga forcat kurde Peshmerga dhe ato irakiane në terren, kanë bërë që të rimerren rreth 700 kilometra katror territor nga Shteti Islamik.
Por, sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, i cili ka qenë nikoqir i takimit së bashku me Kerryn, ka thënë se forcat irakiane janë në “gjendje të rrëmujës” dhe do të kalojnë muaj derisa ato të jenë të gatshme për luftë të madhe kundër IS-it.
Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka thënë se rënia e çmimeve të naftës ka pasur efekt “shkatërrues” në ekonominë e Irakut dhe ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të zvogëlojë aftësinë e tij për të luftuar grupin militant.
“Çmimet e naftës kanë rënë për 40 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Ekonomia dhe buxheti i Irakut mbështeten 80 për qind te nafta dhe kjo ka qenë shkatërruese për ne”, ka thënë al-Abadi.
Ai i ka bërë thirrje koalicionit ndërkombëtar që t’i sigurojë vendit të tij më shumë armë, duke thënë se koalicioni “ka aftësinë për t’i siguruar Irakut armët që i duhen”.
Kerry ka thënë Uashingtoni u ka dorëzuar forcave irakiane automjete për mbrojtje nga minat dhe se ato së shpejti do të marrin pushkë M16.
Takimi në Londër, i cili ka përfshirë 21 nga 60 vendet e koalicionit anti-IS, është zhvilluar dy javë pasi militantët islamistë kanë vrarë 17 persona në Paris.
Njëri nga tre sulmuesit në Paris është trajnuar me degën e Al Kadiës në Jemen, ndërsa një tjetër prej tyre është thënë se është frymëzuar nga xhihadistët e Shtetit Islamik.
Të mërkurën në Uashington, Kerry ka zhvilluar bisedime me shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila e ka përshkruar koalicionin kundër IS-it si “partneritet që na bashkon të gjithëve kundër një fenomeni që po shkatërron brutalisht shoqëritë”.
Agjencia evropiane e policisë, Europol, llogarit se rreth 5,000 shtetas të Bashkimit Evropian u janë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.
Përgatiti: Valona Tela