Ndërlidhjet

Fëmijët me probleme në zemër operohen jashtë vendit


Ilustrim

Ilustrim

Shumë fëmijë të lindur me anomali në zemër vazhdojnë të mos operohen në Kosovë. Kjo si mungesë e shërbimit të kardiokirurgjisë pediatrike.

Ramush Beiqi pediatër, thotë se gjatë një viti afërsisht 150 fëmijë kërkojnë ndihmë për intervenim në zemër.

"Në mungesë të shërbimit të kardiokirurgjisë në Kosovë, fëmijët duhet patjetër të dërgohen jashtë vendit, në shtetet e Evropës, disa nga ta edhe në SHBA, por disa nga ta mund të shkojnë edhe në Shqipëri, vend i cili për ne është shpëtimprurës pasi që një numër të madh të fëmijëve, listën e pritjeve e zvogëlon dhe e redukton në minimum".

"Statistikat tregojnë se sëmundjet e lindura të zemrës te fëmijët në Kosovë, sillen sikur edhe në shtetet e tjera. Nga 1 mijë fëmijë që lindin të gjallë, 7 deri në 10 nga ta kanë anomali në zemër".

"Pra, nëse vitin e kaluar kanë lindur rreth 31 mijë fëmijë, kemi deri në 300 fëmijë të lindur me një sëmundje të zemrës, por që një numër i tyre nuk kanë nevojë për intervenim kardiokirurgjik’’, bën të ditur zoti Beiqi.

Zoti Beiqi poashtu thekson se disa nga këto raste i mbulon Ministria e Shëndetësisë, e disa shkojnë me vetëfinancim.

"Fatmirësisht vetëm një numër i vogël i fëmijëve shkojnë me vetëfinancim, dhe atë bëhet fjalë për prindër që nuk dëshirojnë të presin procedurat, shumica e fëmijëve shkojnë për operim përmes organizatave humanitare, dhe të tjerët shkojnë në Shqipëri e që shteti i Kosovës nuk është i involvuar për t'i ndihmuar financiarisht. Por, ata fëmijë që i mbulon Ministria e Shëndetësisë, shkojnë në një spital të Gjenovës në Itali, gjë që kjo e fundit ka marrëveshje me ta".

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Pediatrike, vitin e kaluar janë trajtuar gjashtë fëmijë me sëmundje të zemrës, por këta fëmijë kanë përfituar nga një program i cili është aplikuar për herë të parë në Kosovë, në bashkëpunim me disa mjekë amerikan.

Drejtori i klinikës pediatrike Muharrem Avdiu, ka bërë të ditur se kërkesat e fëmijëve me probleme në zemër janë të vazhdueshme, por intervenimet kirurgjike nuk mund të kryhen.

"Rastet diagnostikohen nga mjekët tonë, në klinikën e pediatrisë, në repartin e kardiologjisë. Diagnostikimi bëhet në klinikën e perdiatrisë dhe sipas urgjencës së trajtimit, fëmijët dërgohen në qendrat eminente përmes strukturave humanitare e profesionale, deri në spitale të njohura evropiane".

"Janë kryer disa operacione të zemrës tek fëmijët vitin që shkoj, edhe tek ne në nivel të klinikës së kardiokirurgjisë, por falë ndihmës së mjekëve nga jashtë", ka shtuar Avdiu.

E zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se për vitin 2015 janë ndarë 6 milion euro, për trajtimin e pacientëve jashtë institutcioneve publike shëndetësore.

Ndryshe, vitin e kaluar ministria ka pranuar 1800 aplikacione nga pacientët, për marrjen e shërbimeve që nuk i ofron QKUK-ja, derisa kanë përfituar 890 pacientë për tu trajtuar jashtë institutcioneve publike shëndetësore.

"Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje me spitale të ndryshme ku vitin e kaluar kanë shkuar në Itali për tu operuar, dhe ministria paguan për çdo internenim nga 8.500 euro. Ka edhe organizata humanitare që i dergojnë fëmijët në Evropë por edhe në SHBA. Shumë fëmijë shkojnë edhe në Shqipëri për tu operuar falas në spital shtetëror".

Gjithashtu, kemi marrëveshje edhe me shtetin turk që çdo vjet shkojnë nga 100 pacientë për t'i operuar falas, por jo vetëm me probleme në zemër por në përgjithësi’’, është shprehur Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të shëndetësisë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG