Ndërlidhjet

Jeta e mbretit Abdullah

  • RFE /RL

Abdullah Bin Abdulaziz al Saud - Foto nga arkivi

Abdullah Bin Abdulaziz al Saud - Foto nga arkivi

Mbreti Abdullah Bin Abdulaziz al Saud, i cili ka sunduar Arabinë Saudite që nga viti 1996, ka vdekur në moshën 90 vjeçare.

Vdekja e mbretit Abdullah është njoftuar në televizionin shtetëror të Arabisë, të cilët nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Abdullah ka qenë i shtrirë në spital gjatë javëve të fundit për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Pasardhësi i tij është vëllai i tij, 79 vjeçari, Princi Selman i cili tashmë i ka marrë të gjitha përgjegjësitë e paraardhësit pas sëmundjes së Mbretit.

Gjatë sundimit të Mbretit Abdullah, kombi ultrakonservativ islamik i vendit të pasur me naftë, është përballur me një hendek në rritje midis fundamentalistëve dhe të moderuarve.

Gjatë sundimit të tij janë zyrtarizuar disa reforma të rëndësishme duke përfshirë edhe masat që synojnë liberalizimin ekonomik.

Mbreti është kritikuar nga grupi i të drejtave të njeriut për kontrollin represiv.

Vitet e fundit të sundimit të tij pati edhe trazira rajonale. Pranvera arabe e ka kërcënuar shtëpinë e Saudit dhe pozitën e Arabisë Saudite si “garantuese e stabilitetit” në lindjen e Mesme. Këto kanë bërë që Abdullah të ndërmarr masa për t’i shmangur pakënaqësitë e mundshme në shtëpinë e tij.

Rënia e presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, e pati zemëruar veçanërisht Arabinë Saudite, e cila e akuzoi Perëndimin se me pranimin që ia bënë ndryshimit të regjimit, tradhëtuan në mënyrë të heshtur.

Më vonë, prania e një kërcënimi të ri për rajonin – militantët e Shtetit Islamik- bëri që Arabia Saudite të kthehet përsëri drejt Perëndimit duke marrë rol udhëheqës në koalicionin e vendeve arabe kundër militantëve.

Teksa pati folur për transmetuesin amerikan PBS në lidhje me fushatën kundër Shtetit Islamik, Abdullah pati thënë: “Ne sikurse vendet arabe dhe shtetet myslimane... duhet ta marrim drejtimin e kësaj”.

Gratë në Arabinë Saudite, vitin 2015 e kanë filluar me optimizëm, ngase për herë të parë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet lokale në mbarë vendin.

Ky ndryshim për gratë është bërë si rezultat i reformave të shpallura nga Mbreti Abdullah në vitin 2011 dhe në vitin 2013, kur Mbreti për herë të parë i pati emëruar 30 gra në këshillin që përbëhet prej 150 anëtarëve të njohur si Shura.

“Për shkak se ne refuzojmë ta pranojmë margjinalizimin e rolit të grave në çdo aspekt të shoqërisë arabe brenda kufijve të Sheriatit, dhe pas konsultimeve me klerikët tanë nga Shoqata e Klerikëve të lartë dhe të tjerë jashtë saj, të gjithë e kanë mbështetur dhe mirëpritur këtë dhe kemi vendosur si vijon: Së pari, pjesëmarrja e grave në këshillin Shura..”, pati thënë Abdullah.

Por, reformat e tij nuk shënuan ndryshime të rëndësishme të cilat priteshin nga vëzhguesit perëndimorë, të cilët e kritikuan atë për reforma të ngadalshme dhe thjeshtë kozmetike.

Në vitin 2012, organizata Human Rights Watch, e ka quajtur qeverisjen e tij si “represion të pakursyer”, për shkak të arrestimeve arbitrare, torturave, censurën e madhe mbi media, diskriminimin ndaj pakicave fetare dhe për sistemin e mbyllur politik.

Në vitin 2015, Arabia Saudite është kritikuar për dënimin ndaj blogerit Raif Badawi, i cili është dënuar me 1 mijë rrahje me kamxhik në publik dhe atë 50 herë gjatë 20 javëve.

Abdullah ka lindur në Riyadh, në vitin 1924, nga një nënë beduine dhe nga themeluesi i Arabisë Saudite, Mbreti Abdul Aziz Al Saud.

Pas përfundimit të edukimit formal fetar, në vitin 1962 ai ishte emëruar komandant i Gardës Kombëtare të Arabisë Saudite. Ndonëse është tallur për shkak të një belbëzimi që kishte, ai këtë post e ka mbajtur për gati 50 vjet.

Në vitin 1996, kur Abdullah kishte më shumë se 70 vjeç, ai u bë sundimtari "de facto" i vendit, për shkak se gjysëm-vëllai i tij, Mbreti Fahd, për shkak të një sulmi në tru ishte i paaftë.

Kur ai zyrtarisht u emërua në fron në vitin 2005, Mbreti Abdullah trashëgoi vendin, ku pati shtim të vehabistëve, të cilët kishin ndihmuar gjatë në ruajtjen e pushtetit të familjes mbretërore, që kishte nevojë për reforma.

Pas shfaqjes së Al-Qaedas në vitet e 90-ta dhe pas sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator të vitit 2001, ku 15 nga 19 kindapuesit e aeroplanit ishin sauditë, si dhe pas një kryengritjeje të mëvonshme në mbretëri, familja mbretërore e kuptoi se ekstremizmi fetar po e kërcënon kontrollin e familjes mbretërore mbi pushtetin.

“Unë po shpresoj nga ju dhe po e përsëris që, në qoftë se ju dëgjoni ndonjë fjalë apo ndonjë lajm për ndonjë person që ka devijuar – nga feja apo për ta sulmuar fenë – apo është një ekstremist, ju duhet të ndaloni atë dhe të ma sillni mua personalisht”, ka thënë Abdullahu në vitin 2004.

Nën sundimin e tij, Riyadhi u bë një nga partnerët kyç në botën arabe për Perëndimin dhe veçanërsiht për Shtetet e Bashkuara.

Ai nuk i lejoi Shtetet e Bashkuara apo aleatët e tyre, që të përdorin tokën e vendit të tij, e konsideruar nga shumica e më shumë se 1 miliardë myslimanëve të botës, si tokë e shenjtë e Islamit, që nga aty ti nisin sulmet në Irak dhe Afganistan.

Në kuadër të një levizjeje reformiste në botën arabe në vitin 2010 dhe 2011, mbreti u zotua se do ta ndjek një program për reforma në politikë, reforma ekonomike dhe reforma sociale.

Ai e urdhëroi formimin e një autoriteti shtetëror për ta luftuar korrupsionin dhe i bëri me dije përfitimet ekonomike në vlerë prej dhjetëra miliadra dollarësh, me të cilat do të zgjidhej problemi i papunësisë dhe strehimi për të pastrehët.

Por, Arabia Saudite gjatë sundimit të Mbretit tashmë të ndjerë, ka pasur një përgjigje të ashpër ndaj Pranverës Arabe.

Arabia Saudite i ndaloi të gjitha protestat dhe marshimet e pakicës shiite kundër mbretërisë në krahinën lindore, pjesë ku prodhohet nafta.

Autoritetet arrestuan qindra njerëz që kërkonin ndryshime politike dhe shoqërore ndërsa dënoi reformistë të shquar me dënime afatgjata.

Në vitet e mëvonshme, Mbreti Abdullah u përpoq t’i kundërvihet rritjes së shiitëve nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme. Në një shkëmbim diplomatik të publikuar në vitin 2009 nga WikiLeaks, Mbreti citohet të ketë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që “t’ia prejnë kokën gjarprit” duke e sulmuar Iranin.

Në vitin 2014, një vit para vdekjes së tij, Forbes e ka radhitur Mbretin e Arabisë Saudite, në mesin e mbretërve më të pasur të botës, me një pasuri prej më shumë se 20 miliardë dollarë.

Disa vite para vdekjes, ai ka vuajtur nga problemet kurrizore dhe në fillim të janarit të këtij viti, ai është shtruar në spital për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Mbreti Abdullah do të pasohet nga Princi Selman, i cili ka shërbyer si guvernator i qytetit Riyadh për vite të tëra, ndërsa e ka mbajtur edhe postin e ministrit të mbrojtjes.

Abdullah ka lënë pas vetes më shumë se 30 fëmijë, me dhjetëra gra që i kishte.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG