Ndërlidhjet

Jahjaga dhe Stoltenberg diskutojnë transformimin e FSK-së


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në vizitën e tij të parë në Kosovë, diskutoi zhvillimet aktuale në vend dhe orientimin strategjik të Kosovës për t’u anëtarësuar në aleancën veriatlantike.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretarin Stoltenberg për kontributin e NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse, KFOR-it, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

“Presidentja e njoftoi Sekretarin Stoltenberg me konkluzat e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe vendimin e institucioneve të Kosovës për të filluar transformimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, një forcë mbrojtëse, dizajni i të cilës është përcaktuar në përputhje me interesat strategjik, sigurinë kombëtare, nevojat dhe resurset e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës.

Sipas kësaj kumtese, Stoltenberg theksoi se NATO-ja do të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e kapacitetit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përshëndeti angazhimin institucional në Kosovë në aspektin e sigurisë dhe atë ligjor për të parandaluar individë nga Kosova që t’iu bashkëngjiten kauzave terroriste në Siri dhe Irak.

XS
SM
MD
LG