Ndërlidhjet

Finlandezët dhe suedezët që luftojnë për IS-in


Një militant islamist në Siri...
Një militant islamist në Siri...

Këtë javë, policia dhe forcat e sigurisë në Finlandë dhe Suedi kanë bërë të ditur se dhjetëra shtetas të tyre luftojnë me militantët e Shtetit Islamik (IS) në Siri dhe Irak.

Sipas shefit të policisë në Helsinki, Jari Taponen, rreth 50 njerëz nga Finlanda, 76 për qind e të cilëve kanë pasaporta finlandeze dhe rreth 20 për qind e të cilëve janë finlandezë etnikë, kanë shkuar në zonat që kontrollohen nga Shteti Islamik në Siri dhe Irak.

Taponen u ka thënë mediave finlandeze se prioriteti numër një i forcave të sigurisë është “të bëjnë përpjekje që të parandalojnë udhëtimin në zonat e luftës”.

Sipas tij, Shërbimi i Inteligjencës në Finlandë, Supo, beson se tetë persona nga Finlanda janë vrarë duke luftuar së bashku me Shtetin Islamik.

Radikalizmi në mesin e grave të konvertuara në Islam në Finlandë është rritur po ashtu në muajt e fundit dhe shumica e atyre që u janë bashkuar xhihadistëve islamistë janë nga rajoni i Helsinkit, ka thënë Taponen.

Ashtu si edhe vendet e tjera evropiane, Finlanda është e shqetësuar për kërcënimet që paraqesin shtetasit e saj, të cilët kthehen nga lufta në Siri.

Taponen ka thënë se policia e Helsinkit planifikon të nisë një program të mentorimit për të parandaluar radikalizmin, duke bërë përpjekje që personat e kthyer nga lufta, t’i riintegrojë në shoqëri.

Në Suedinë fqinje, Shërbimi i Sigurisë, Sapo, ka konfirmuar se së paku 100 suedezë i janë bashkuar grupit të Shtetit Islamik.

Kreu i Sapo-s, Anders Thornberg, i ka thënë agjencisë TT këtë javë se organizata e tij ka parë “numër në rritje të suedezëve të rinj, të cilët udhëtojnë në Siri, ku trajnohen për eksplozivë dhe armë”.

Numri i rasteve të konfirmuara të suedezëve që luftojnë me militantët në Siri është rritur javën e kaluar nga 92 në 100, ka thënë Thornberg.

Një rast i një suedezi që ka luftuar dhe vdekur për Shtetin Islamik në Siri është dokumentuar nga ditari online i një gruaje britanike, Umm Khattab al-Britaniyyaa, e cila ka thënë se ka qenë e martuar me një militant suedez të Shtetit Islamik, derisa ka vdekur në muajin tetor në Kobani.

Në ditarin e saj, Umm Khatab ka shkruar se burri i saj, i cili ka quajtuar veten Abu Khattab al-Swedi, ka shkuar në Siri nga Suedia, së bashku me mikun e tij më të mirë, Abu Uthman al-Afghani.

Të dy emrat e zgjedhur të tyre sugjerojnë se i pari është suedez, ndërsa i dyti afgan.

Në Suedi jetojnë disa mijëra refugjatë afganë, edhe pse ka raporte se vendi është duke refuzuar rastet e azilkërkuesve nga Afganistani.

Umm Khatab ka zbuluar disa detaje rreth aktiviteteve të bashkëshortit të saj në Siri, duke thënë se ai “ka vënë xhihadin gjithmonë në vend të parë” dhe se ka kaluar shumë kohë larg shtëpisë, duke luftuar.

Dëshira e tij ka qenë të bëhet “martir” dhe të vdesë në betejë, ka shkruar Umm Khatab në ditarin e saj.

Evropa, në përgjithësi, ka rritur alarmin e sigurisë për shkak të kërcënimeve terroriste. Militantët islamistë kanë vrarë këtë muaj 17 njerëz në Paris. (v.tela)

XS
SM
MD
LG