Ndërlidhjet

Pro-rusët me ofensivë vdekjeprurëse në Mariupol

  • RFE /RL

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka bërë të ditur për 30 civilë të vrarë dhe 97 të plagosur në qytetin Mariupol, i cili kontrollohet nga forcat qeveritare.

Zyra e kryetarit lokal ka thënë se separatistët pro-rusë kanë sulmuar me raketa Grad një treg të mbushur me njerëz dhe disa ndërtesa të tjera.

Mariupoli shtrihet në detin Azov, midis territorit të kontrolluar nga separatistët në juglindje dhe Krimesë së aneksuar nga Rusia.

Vullnetarët pro-qeveritarë, të cilët mbrojnë qytetin, janë zotuar se nuk do të tërhiqen.

Luftime të intensifikuara janë raportuar të shtunën në shumë zona të Ukrainës lindore, një ditë pasi lideri separatist, Aleksandr Zakharchenko, ka shpallur ofensivën e re të rebelëve, me qëllim marrjen nën kontroll të të gjithë rajonit të Donjeckut.

Zakharchenko ka thënë se separatistët “nuk do të bëjnë asnjë përpjekje për të folur për amrëpushim” në konfliktin 9-muajsh, në të cilin janë vrarë mbi 5,000 njerëz.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka akuzuar Zakharchenkon dhe separatistët pro-rusë për “luftënxitje” dhe u ka bërë thirrje rebelëve dhe forcave të Ukrainës që të nisin tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit.

“Është në duart e atyre që kanë nënshkruar marrëveshjet në Minsk, që kanë nënshkruar deklaratën e Berlinit, që të sigurojnë zbatimin e këtyre gjërave. Por, komentet nga lideri separatist nuk janë asgjë më shumë se luftënxitje. Ne do të kemi shtensionim nëse nisim tani me tërheqjen e armëve të rënda, siç parasheh marrëveshja e arritur në Berlin”, ka thënë Steinmeier.

Ofensiva e separatistëve vjen pasi forcat qeveritare, më 21 janar, kanë nisur të tërhiqen nga pozicionet e fortifikuara që kanë mbrojtur për muaj të tërë në dhe përreth aerportit të Donjeckut.

Ajo po ashtu vjen vetëm pak ditë pasi presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se ushtria e rregullt ruse ka vendosur 2,000 trupa në lindje të Ukrainës, ditëve të fundit.

Poroshenko i ka thënë Forumit Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës se forca ushtarake ruse në lindje të Ukrainës tani numëron më shumë se 9,000 ushtarë, me mbi 500 tanke, transportues të blinduar dhe artileri.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca “ka vërejtur shtim të konsiderueshëm të pajisjeve të rënda ruse në Ukrainë, përfshirë tanke, artileri dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes raketore”.

Stoltenberg ka thënë se është i gatshëm të takojë ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, në fillim të shkurtit.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka fajësuar Kievin për përshkallëzimin e luftimeve, duke thënë se forcat qeveritare kanë kryer “aksion ushtarak në shkallë të gjerë” kundër separatistëve.

Rusia mohon përfshirjen e saj në konflikt, edhe pse Kievi dhe NATO-ja thonë se kanë prova të pakundërshtueshme se ajo ka dërguar trupa në lindje të Ulrainës dhe i ka siguruar rebelët me armë të sofistikuara.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG