Ndërlidhjet

Mustafa: Jabllanoviq s'është problemi më i madh i Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se protestat janë e drejtë e qytetarëve, por ministri Aleksandar Jabllanoviq, sipas tij, nuk është problemi më i madh i Kosovës.

Këto komente Mustafa i ka bërë në Pejë, në kohën kur në Prishtinë po zhvillohej protesta me thirrjet “Jabllanoviq jashtë, Trepça është e jona”.

“Protestat janë çështje e së drejtës së qytetarëve, e reagimit qytetar. Unë konsideroj se çështjet do t'i zgjidhim sipas programit qeveritar që e kemi, kam besim të plotë në përbërjen e Qeverisë dhe në përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve të tjera. Mirëpo, ne do t'i dëgjojmë të gjithë zërat që vijnë nga qytetarët tanë për përmirësimin e qeverisjes, lidhur me zgjidhjen e çështjeve aktuale”, ka theksuar Mustafa.

Ndërkaq, në lidhje me ministrin Jabllanoviq, Mustafa ka deklaruar se ai nuk është problemi më i madh i Kosovës dhe se nuk duhet fokusuar energjitë politike tek ai.

“Konsideroj se ministri Jabllanoviq nuk është problemi më i madh i Kosovës dhe nuk është çështja ku ne duhet të fokusojmë të gjitha energjitë tona politike. Ato do t'i përkushtojmë në rritjen e punësimit, në investimet nga jashtë që vijnë në shtetin ligjor”, ka thënë Mustafa.

XS
SM
MD
LG