Ndërlidhjet

Paratë e diasporës “shpëtim” për të rinjtë


Shumë të rinj në Kosovë, për të vazhduar studimet varen nga mjetet e anëtareve të familjeve të tyre që jetojnë dhe punojnë në Evropë dhe botë. Ata këto mjete i konsiderojnë të rëndësishme për zhvillimin e tyre profesional.

Për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj tregojnë për mjetet që marrin nga diaspora dhe mënyrën e shpenzimit të tyre.

Studimet në Universitetin e Prishtinës, janë shumë të shtrenjta për disa studentë, pasi shumica nuk punojnë dhe mjetet financiare për studime i sigurojnë nga familjet e tyre, sidomos ata që jetojnë jashtë vendit.

Patrik Lekaj është student në vitin e katërt në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, kurse nëna e tij, jeton dhe punon që tetë vite në shtetin e Islandës.

Ai thotë se për disa shpenzime të nevojshme varet nga nëna e tij.

“Në shtetin e Islandës e kam mamin, varem mesatarisht, sepse punoj edhe vetë nga pak. Por, megjithatë kur kam nevojë për para më dërgon edhe mami. Paratë i shpenzoj më shumë për çështje personale, por edhe kur kam nevojë për libra, studime, zakonisht më ndihmon” tha Patriku

Kurse kolegia e Patrikut, Arta Zubaku, poashtu studente në Fakultetin Juridik, ka lindur në shtetin e Lubjanës, por që 10 vite është kthyer në Kosovë për të vazhduar mësimet dhe studimet në gjuhën shqipe.

Por, në Slloveni ende qëndron dhe punon babi i saj, i cili kujdeset për shpenzimet e familjes, që tashmë jetojnë në Prishtinë.

“Unë kam lind në Slloveni, babin ende e kam atje. Kështu që mund të them se në mënyrë të barabartë varemi nga prindërit : nënës në Kosovë dhe babit në Slloveni".

"Remitencat gjithsesi janë të nevojshme dhe të mjaftueshme, meqenëse na ndihmojnë në të gjitha aspektet e jetës sonë, si të rinj që jemi, duke marrë parasyshë që na ndihmojnë për studime, por edhe për arsye dhe nevoja tjera që kemi”, tha Arta.

Por, shumë nga studentët janë nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët janë të detyruar të banojnë ose udhëtojnë në Prishtinë.

Njëri nga ta, Bekim Abazi, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se të gjitha shpenzimet e nevojshme për studime, i financon vëllau i tij, që jeton dhe punon në Gjermani.

Abazi është nga qyteti i Podujevës dhe për çdo ditë udhëton për të ndjekur ligjerata.

“Më financon vëllai nga Gjermania. Unë mundohem të kursej sa mundem. Të kisha një vend pune dhe t’i kisha paratë e mia, do të ishte më e lehtë, por në këtë mënyrë më vret ndërgjegjja”, thotë Bekimi

Arbnor Dreshaj, student në Universitetin e Prishtinës, tregon se babai i tij që 15 vite më radhë punon në Kazakistan. Kështu që të gjitha kërkesat e Arbnorit për studime dhe nevojat tjera të familjes, mbulohen nga paratë e dërguara nga ai.

“Ne krejt familja varemi nga ai, edhe për studime dhe për të gjitha nevojat tjera të përditshme. Shpenzimet e mia të nevojshme janë për literaturë, shpenzime të përditshme. Çdo shpenzim që i duhet një të riu, unë tash për tash varem nga babi që punon në Kazakistan”, tha Arbnori.

Ndryshe, sipas statistikave zyrtare thuhet se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, derisa 22.4 për qind prej tyre pranojnë remitenca prej familjarëve.

Shpenzimi i remitencave në arsim përbën rreth 11 për qind të shpenzimeve të përgjithshme.

Shpenzimi i dërgesave të diasporës në kapital njerëzor,qoftë në realizimin e arsimit formal, pjesëmarrje në trajnime tjera nevojshme për karrierë, është vlerësuar se kanë përmirësuar perspektivën e së ardhmes për punësimin e anëtarëve të këtyre familjeve.

Por, ka të rinj të tjerë që nuk varen nga mjetet materiale të diasporës, por megjithatë ata marrin dhurata nga më të ndryshme të cilat ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies se tyre.

Nëntëmbëdhjetë vjeçari nga Ferizaj, Eron Halili, student në vitin e parë në Departamentin e Shkencave dhe Inxhinjeri Kompjuterike, tregon se herë pas herë pranon dhurata nga anëtaret e familjes së gjërë që jetojnë jashtë Kosovës.

Eroni ndërkaq thotë se për shpenzimet e nevojshme, kujdesen prindërit e tij.

“Në Evropë i kam dajtë dhe disa të afërm të familjes, marr dhurata nga ta, nuk kemi nevojë për diçka tjetër. Por,se edhe ato janë të mirëseardhura. Në Kosovë është jeta e shtrenjtë, por për familjen time, nuk është shumë e vështirë për të financuar shpenzimet e mija”, tha Eroni.

Ngjashëm thotë edhe Ermira Hetmi, nxënëse në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit" në Ferizaj.

“Zakonisht dhurata pranoj, si veshmbathje. Por jo mjetet materiale. Dhuratat janë gjithmonë të mira për gjithësecilin”, tregon Ermira.

Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind. Studimet në Universitetin e Prishtinës, janë shumë të shtrenjta, sipas studenttëve, pasi shumica nuk punojnë dhe mjetet financiare për studime i sigurojnë nga familjet e tyre.

Sidoqoftë, vetëm në gjysmën e parë të vitit që lam pas, remitencat kanë arritur në 291.3 milionë euro. Kurse në vitin 2013 remitencat që u dërguan në Kosovë u vlerësuan të jenë rreth 456 milion euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG