Ndërlidhjet

Publikimi i filmit “American Sniper” ka çuar në rritjen e kërcënimeve kundër myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, ka thënë një grup arabo-amerikan për të drejtat civile.

Komiteti Amerikano-Arab kundër Diskriminimit, i ka shkruar letër regjisorit Clint Eastwood dhe aktorit Bradley Cooper.

Filmi i tyre bazohet në shërbimin e ushtarit amerikan, Chris Kyle, në Irak, nga viti 2003 deri më 2009.

Komiteti Amerikano-Arab kundër Diskriminimit ka thënë se “shumica e kërcënimeve të dhunshme që kemi parë gjatë disa ditëve të kaluara, janë rezultat i asaj se si janë përshkruar arabët dhe myslimanët në filmin American Sniper".

Organizata, e cila e përshkruan veten si organizata më e madhe e të drejtave të arabëve në SHBA, ka thënë se ka mbledhur qindra mesazhe të dhunshme kundër amerikanëve arabë dhe myslimnanë, shumicën e tyre nga Facebook-u dhe Twitter-i.

Regjisorit Eastwood dhe aktorit Cooper u është bërë thirrje që të flasin kundër mesazheve të tilla, në përpjekje për të reduktuar retorikën e urrejtjes.

Jack Horner, zëdhënës i studios filmike, Warner Bors, e cila ka publikuar filmin, i ka thënë agjencisë Reuters se kompania dënon çdo retorikë të dhunshme dhe anti-myslimane, ndërsa zëdhënësit e Eastwoodit dhe të Cooperit nuk u janë përgjigjur kërkesave të menjëhershme për komente.

“American Sniper” ka qenë hit i madh në Amerikën e Veriut, duke kaluar të gjitha parashikimet për shikueshmëri. Ai ka fituar 90 milionë dollarë në fundjavën e parë të shfaqjes – një shumë rekorde kjo për muajin janar. Filmi po ashtu ka gjashtë nominime për Çmimin Oscar.

Ai, megjithatë, ka shkaktuar polemika. Disa e kanë përshëndetur portretizimin e ushtarit Kyle si hero të luftës, por të tjerët e kanë kritikuar atë për lartësim të dhunës dhe për qëndrimin e Kyle ndaj viktimave.

Kyle ka shërbyer katër turne në Irak dhe ka vrarë mbi 160 njerëz, duke u bërë snajperisti më vdekjeprurës në historinë amerikane.

Filmi bazohet në librin e tij, i titulluar po ashtu “American Sniper”, në të cilin ai ka thënë se nuk ndjen keqardhje, ndërsa atyre që ka vrarë, u është referuar si “egërsira”.

Kyle është qëlluar dhe vrarë në shkurt të vitit 2013, në Teksas, nga Eddie Routh. Ky i fundit ka qenë veteran i luftës në Irak, të cilin Kyle ka bërë përpjekje të ndihmojë për t’u shëruar nga çrregullimet e stresit post-traumatik.

Premiera botërore e filmit “American Sniper” ka qenë më 11 nëntor të vitit 2014, në Festivalin e Institutit të Filmit Amerikan. (v.tela)

Marrë nga BBC

XS
SM
MD
LG