Ndërlidhjet

Bën betimin kryeministri i ri i Greqisë

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Udhëheqësi i partisë Syriza në Greqi, Alexis Tsipras, ka bërë betimin si kryeministër.

Partia e ekstremit të majtë, Syriza, e cila ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të dielën në Greqi, ka formuar koalicion qeveritar me partinë e krahut të djathtë, Grekët e Pavarur.

Koalicioni do të ketë shumicë të rehatshme në Parlamentin e ri të Greqisë.

Tsipras është zotuar se do të rinegociojë paketën e ndihmës për Greqinë, në vlerë prej 240 miliardë eurosh, dhe se do t’i japë fund “poshtërimit dhe dhimbjes” së Greqisë.

Disa politikanë evropianë e kanë paralajmëruar atë që të respektojë kushtet e ndihmës.

Treshja e huadhënësve të Greqisë – Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – i ka imponar shkurtime të mëdha buxhetore Athinës në këmbim të parave të ndihmës.

Aktualisht, papunësia në Greqi është 25 për qind, ndërsa ekonomia e saj është tkurrur për një të katërtën që nga fillimi i krizës në Eurozonë.

“Para nesh kemi një mundësi të madhe, për një fillim të ri midis Greqisë dhe Evropës, për një politikë të re, për një marrëdhënie të re, bazuar në besim, respekt, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka thënë Tsipras.

Kryeministri në largim, Antonis Samaras, ka pranuar humbjen.

“Populli grek ka folur dhe ne respektojmë vendimin e tij. Ndërgjegjja ime është e pastër. Unë kam marrë drejtimin e vendit kur ai ka qenë në prag të katastrofës. Kam pasur në duar qymyr të nxehtë. Shumë njerëz kanë thënë se nuk do t’ia dalim, por ia kemi dalë dhe kemi shmangur më të keqen”, ka thënë Samaras.

Bashkimi Evropian është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me Qeverinë e re të Greqisë dhe ta ndihmojë atë në zbatimin e reformave.

“Komisioni Evropian respekton plotësisht zgjedhjen sovrane dhe demokratike të popullit grek. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi me qeverinsë e re sapo të formohet".

"Greqia ka bërë përparim të dukshëm në vitet e fundit dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dhe ta ndihmojmë atë në adresimin e reformave të mbetura”, ka thënë Margaritis Schinas, zëdhënës i presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Gjermania dhe Britania kanë thënë se presin që Qeveria e re greke t’iu përmbahet angazhimeve të saj ndaj kreditorëve ndërkombëtarë.

Në Londër, zyra e kryeministrit britanik, David Cameron, ka thënë se “Greqia duhet të trajtojë deficitin e saj dhe të përmbushë angazhimet ndërkombëtare”.

Borxhi i Greqisë është 175 për qind e bruto prodhimit të saj të brendshëm. (v.tela)

XS
SM
MD
LG