Ndërlidhjet

Jahjaga: Skenat kaotike, të papranueshme


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje për qetësi dhe rivendosje të rendit në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, si dhe për reflektim.

Apeli vjen pas eskalimit të protestës së sotme të opozitës, e cila ka bërë thirrje për shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, dhe për shpalljen e Trepçës ndërmarrje e veçantë publike.

Protestuesit janë përleshur me policinë, e cila ka përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit kundër tyre.

“Skenat kaotike dhe të dhunshme në rrugët e Prishtinës, janë plotësisht të papranueshme”, ka thënë presidentja Jahjaga.

“Ju bëj thirrje protestuesve të mbetur në rrugët e qytetit të Prishtinës që të shpërndahen në mënyrë të qetë dhe të mos vazhdojnë përplasjen me Policinë e Kosovës, një institucion përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të ligjit dhe për sigurinë e secilit qytetar të vendit. Ajo është Policia jonë”, ka shtuar Jahjaga përmes një deklarate dërguar mediave.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, që të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë “këtë cikël të dhunës në rrugë”.

“Kërkoj gjithashtu nga liderët politikë të vendit nga i gjithë spektri politik, të distancohen nga aktet e dhunës që po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë të ri”, ka thënë Jahjaga.

XS
SM
MD
LG