Ndërlidhjet

Thirrje për ta ndalur ciklin e dhunës


Pamje nga protesta e 27 janarit
Pamje nga protesta e 27 janarit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendës kryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi, i kanë dënuar“aktet e sotme të dhunës”, duke i cilësuar ato si “përpjekje për të marrë dhunshëm pushtetin”.

Përplasje të rrepta kanë shpërthyer të martën në qendër të Prishtinës, ndërmjet protestuesve dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Protesta është organizuar nga partitë politike në opozitë, në kërkim të shkarkimit të ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, dhe shpalljes së kombinatit metalurgjik “Trepça” si ndërmarrje e veçantë publike.

Policia e Kosovës ka përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë protestuesit, kurse keta të fundit kanë hedhur gurë dhe gjësende të tjera në drejtim të policisë.

Kryeministri Mustafa tha në takim me gazetarët se opozita ka keqpërdorur ndjenjat e një pjese të qytetarëve për qëllimet e saj politike. Veprime të tilla, tha Mustafa, “ishin sulm ndaj institucioneve, forcave të rendit, si dhe ndaj pasurisë publike e private”.

"Opozita duhet të sillet sipas votës së qytetarëve dhe jo të sillet dhunshëm dhe me dhunë të provojnë të marrin pushtetin. Sot ka pasur dhunë, është sulmuar policia e Kosovës, institucionet e saj", ka theksuar Mustafa.

Zëvendës-kryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se “dhuna e sotme ishte e planifikuar, ishte brutale, e drejtuar kundër policisë dhe institucioneve”.

Protestat e tilla, sipas Thaçit, “kishin objektiva politike që u drejtuan nga opozita".

"Dialogu duhet të shtrohet në parlament dhe jo sheshe. Protesta është e lejueshme, por jo edhe dhuna”.

"Nuk do të dorëzohemi përballë dhunës", ka thënë Thaçi, duke e cilësuar gjithashtu një veprim të tillë si tentim për të marrë pushtetin me dhunë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje për qetësi dhe rivendosje të rendit në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, si dhe për reflektim.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, që të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë “këtë cikël të dhunës në rrugë”.

“Skenat kaotike dhe të dhunshme në rrugët e Prishtinës, janë plotësisht të papranueshme”, ka thënë presidentja Jahjaga, në një komunikatë për opinion.

Edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka reaguar ndaj ngjarjeve të sotme në Prishtinë, përmes një postimi në Twitter.

“Protesta paqësore është një e drejtë demokratike. Shkatërrimi i pronës publike dhe private është një akt kriminal”, ka shkruar Jacobson.

Ndryshe, Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.

XS
SM
MD
LG