Ndërlidhjet

logo-print

Freedom House: Kosova, pjesërisht e lirë

  • RFE /RL

Grafika e Freedom House: E blerta përfaqëson vendet e lira, e verdha ato pjesërisht të lira dhe e purpurta vendet jo të lira

Grafika e Freedom House: E blerta përfaqëson vendet e lira, e verdha ato pjesërisht të lira dhe e purpurta vendet jo të lira

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, të publikuar të mërkurën, Kosova është radhitur si pjesërisht e lirë për vitin 2014.

Këtë vit, Kosova u përfshi për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit.

Freedom House në këtë raport ka bërë vlerësimin e shkallës së lirisë në 195 shtete dhe 15 territore gjatë vitit 2014, duke notuar nga 1 deri në 7 të drejtat politike dhe liritë civile të secilit vend. Nota 1 përfaqëson liritë më të mëdha, ndërsa 7-shi mungesën e tyre.

Nga vendet e rajonit, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira hyn edhe Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia, kurse në grupin e vendeve të lira është radhitur Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia.

Në aspektin global, taktikat më agresive nga regjimet autoritare dhe shtimi i numrit të sulmeve terroriste thuhet t’i kenë kontribuuar një rënieje shqetësuese të lirive në botë në vitin 2014.

Zëvendës presidenti për hulumtime në Freedom House, Arch Puddington, ka thënë se demokracia në 25 vitet e fundit është kërcënuar në masë të madhe, ndërsa në 2014 është shënuar një rënie drastike e demokracisë në nivel të përgjithshëm.

Pavarësisht nga përparimet që janë bërë në vendet siç janë Kuba dhe Tunizia, raporti thekson se pothuajse dyfishi i vendeve, kanë pësuar rënie në demokraci gjatë vitit 2014.

Raporti ka vënë në dukje terrorizmin si një nga faktorët kryesor, duke thënë se militantët islamikë në shumë vende të botës “masakruan forcat e sigurisë dhe civilët, morën peng të huajt dhe vranë apo skllavëruan pakicat fetare, duke përfshirë edhe myslimanët që ata i konsideronin si persona që nuk kanë fe”.

Freedom House ka vënë në dukje se terrorizmi ka pasur një ndikim “shkatërrues” në disa vende përfshirë Irakun, Sirinë, Pakistanin dhe Nigerinë.

Në Irak, sipas raportit për vitin e kaluar, u shënua një përpjekje e Shtetit Islamik për të shkatërruar të krishterët, shiitët, komunitetin Yazidi dhe komunitetet e tjera nën kontrollin e militantëve. Në Irak, sipas raportit, ka pasur edhe sulme ndaj sunitëve të shkaktuara nga milicia shiite e sponsorizuar nga shteti.

Në Iran, Freedom House ka bërë të ditur se ekstremistët po e parandalojnë krijimin e një reforme të mundshme për të rritur lirinë e civilëve dhe për ta zvogëluar ndërhyrjen e qeverisë në jetën e iranianëve.

Afganistani, sipas raportit, ka vuajtur nga “dhuna në rritje ndaj gazetarëve dhe civilëve në kohën e tërheqjes së trupave luftarake ndërkombëtare". Freedom House, për sa i përket Afganistanit, e ka potencuar edhe dhunën në rritje ndaj grave.

Në një masë të madhe, sipas raportit, liria ka rënë edhe në vendet ekonomikisht të fuqishme, duke përfshirë Rusinë, Azerbajxhanin, Egjiptin, Meksikën dhe Turqinë.

Raporti e përmend “pushtimin e Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë konfiskimin e drejtpërdrejtë dhe aneksimin formal të Krimesë” si një nga ngjarjet më të mëdha që ka ndikuar për të keq në demokracinë e vitit 2014.

Vetë Rusia është radhitur si vend “jo i lirë”.

Raporti thekson se Azerbajxhani poashtu ka pasur një rritje të rasteve të abuzimit ndaj kritikëve të qeverisë, përfshirë edhe rastet ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe rastet ndaj gazetarëve.

Në raportin e publikuar shfaqet shqetësim edhe për pakësimin e lirisë në Egjipt, për presionin mbi mediat e pavarura dhe shoqërinë civile në Turqi dhe për centralizimin e mëtejmë të autoritetit në Kinë.

Siria është përshkruar si një “diktaturë e përfshirë nga lufta civile e cila po përballet me terrorizmin e pakontrolluar". Si e tillë, Siria, si asnjë shtet në dekadën e fundit, është vlerësuar me rezultatin më të dobët për demokraci.

Në Ukrainë, raporti thekson se suksesi i “përmbysjes së presidentit të korruptuar Viktor Yanukovych” është rrënuar me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë dhe me luftimet e vazhdueshme në mes të forcave qeveritare dhe separatistëve rusë në lindje të Ukrainës.

Ukraina në raportin e Freedom House është vlerësuar si vend “pjesërisht i lirë”.

Krimeja, e cila kontrollohet nga Rusia që nga muaji mars, për herë të parë është vlerësuar si vend i ndarë nga Freedom House dhe e ka marrë një vlerësim “vetëm pak më të mirë” se Turkmenistani dhe Uzbekistani, dy nga vendet që janë të radhitura në mesin e shteteve ku ka pak demokraci.

Në mesin e vendeve me demokraci “të keqe në mesin e të këqijave” janë Guinea, Eritrea, Koreja e Veriut, Arabia Saudite, Somalia, Sudani, Siria, Tibeti dhe Saharaja Perëndimore.

Pavarësisht kufizimeve nga ana e qeverisë për t'u tubuar dhe kufizimeve ndaj shoqërisë civile, raporti e ka veçuar Kirgizinë si një nga vendet me lirinë më të madhe në Azinë Qendrore.

Kirgizia është vlerësuar si “pjesërisht e lirë” dhe është i vetmi vend i Azisë Qendrore që nuk e ka marrë vlerësimin “vend jo i lirë”.

Sa i përket Evropës, raporti thekson se ka pasur pengesa të kufizuara demokratike gjatë vitit 2014.

Për Shtetet e Bashkuara ndërkaq, raporti përmend valën e protestave të mbajtura pas vrasjeve nga ana e policisë të disa njerëzve me ngjyrë, duke theksuar se prokurorët amerikanë kanë dështuar në sigurimin e provave për t'i akuzuar zyrtarët që janë përgjegjës për këto raste.

FH përmend edhe raportin mbi “torturën dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për terrorizëm” nga ana e CIA-s.

Nga gjithsej 195 vendet që janë vlerësuar në raport, 89 nga to janë vlerësuar “të lira”, 55 të tjera “pjesërisht të lira” dhe 51 të tjera “jo të lira”.

Raportin e plotë të Freedom House mund ta lexoni këtu. (s.b.)

XS
SM
MD
LG