Ndërlidhjet

Hetime ndaj gjyqtarëve e prokurorëve për shkelje procedurale


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Për shkak të kryerjes së veprave të ndryshme penale dhe për mungesë profesionalizmi, Zyra e Prokurorit Disiplinor në Kosovë, po heton gjyqtarë dhe prokurorë të cilët punojnë në gjykata dhe prokuroritë e Kosovës.

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se vitin e kaluar nën hetime kanë qenë 69 prokurorë dhe gjyqtarë, prej të cilëve, 21 raste kanë përfunduar në komisionet përkatëse disiplinore.

Kurse, gjatë këtij viti, thotë Prendrecaj, janë duke u hetuar 2 gjyqtarë dhe 3 prokurorë, pasi që të njëjtit "nuk kanë treguar profesionalizëm dhe i kanë shkaktuar imazh të keq sistemit të drejtësisë".

“Ka raste kur neglizhojnë çështjet që i kanë para vetes, pranë gjykatës ose prokurorisë; ka raste kur pretendohet se kanë vepruar në konflikt interesi; ka raste për vepër të mundshme penale. Më së shumti ka parashtresa për neglizhencë në ushtrimin e funksionit gjyqësor ose prokurorial”, tha Prendrecaj, duke shtuar se ka gjithashtu raste kur gjyqtarët dhe prokurorët e caktuar kanë pasur sjellje të vrazhdë me palët.

Prendrecaj deklaroi se për rastet dhe ndëshkimet të cilat i kanë ndërmarrë komisionet disiplinore, Zyra e Prokurorit Disiplinor është ankuar në institucionet përkatëse, pasi që "dënimet kanë qenë jo adekuate".

“Është e drejtë diskrecionale e komisioneve, por edhe e këshillave në shkallë të dytë për me vendos për këto çështje. Në disa raste janë shqiptuar sanksione të qortimit me urdhëresa për ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese, në disa raste ua kanë ndalur edhe pagën për disa muaj”, tha Prendrecaj.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se komisioni perkatës është duke i shqyrtuar të gjitha rastet të cilat janë paraqitur nga Zyra e Prokurorit Disiplinor.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka shumë raste të cilat komisioni është duke i shqyrtuar.

Ai theksoj se edhe në këtë drejtim ka probleme pasi që Këshilli Gjyqësor nuk është funksional, si pasojë e mungesës se anëtareve, të cilët duhet të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.

“Komisioni disiplinor është duke i shqyrtuar të gjitha rastet e sjelljeve të pahijshme, të cilat vijnë prej Zyrës së Prokurorit Disciplinor. Nuk ka raste duke pritur shumë. Është punë e komisionit disiplinor që vendos lidhur me pohimet për sjellje të pahijshme të gjyqtarëve”, tha Peci.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë kërkuar në disa raste që emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë respektuar kodin e etikës dhe kanë treguar sjellje jo profesionale të publikohen. Por, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë deri sa nuk ka ndryshim të ligjeve.

“Ligji nuk e parasheh si masë të vetme që nëse hetohet dikush të largohet, për ketë arsye mund të bëhen vërejtje, qortime dhe masa të tjera që i parasheh ligji. Kështu që ne nuk mund të paragjykojmë me automatizëm të jetë ose jo fajtor, vetëm pse ka filluar një hetim ndaj një gjyqtari", tha Enver Peci.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë në vazhdimësi është kritikuar nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare si një nga sistemet me probleme të shumta në funksionim, përfshirë këtu edhe dukurinë e korrupsionit.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e gjykatave kanë thënë se mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në gjyqësor, ka bërë që besimi i palëve në gjykata dhe prokurori të cilat ndajnë drejtësinë, të jetë i vogël.

Ata thonë po ashtu se ka mungesë të reagimit të prokurorëve për të zgjedhur raste, sidomos aty ku palët janë persona me ndikim.

XS
SM
MD
LG