Ndërlidhjet

HRW: Shkeljet e të drejtave civile u dhanë hov konflikteve

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Human Rights Watch, ka paralajmëruar se shumë qeveri në gjithë globin janë duke bërë “gabim të madh”, pasi injorojnë të drejtat e njeriut, për t’iu kundërvënë sfidave të sigurisë.

Grupi për të drejtat e njeriut, me seli në Nju Jork, ka publikuar sot Raportin Botëror 2015, që përfshinë një rishikim të të drejtave të njeriut, në më shumë se 90 vende, nga fundi i vitit 2013 deri në nëntor të vitit 2014.

Në esenë hyrëse, drejtori ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Kenneth Roth, thotë se viti i kaluar ka qenë veçanërisht i trazuar.

Ai përmend konfliktet që kanë pasuar kryengritjet e Pranverës Arabe, mizoritë e kryera nga ekstremistët islamikë në gjithë Lindjen e Mesme dhe në pjesë të Azisë dhe Afrikës, si dhe tensionet si të Luftës së Ftohtë, të ngjallura nga kriza në Ukrainë.

Duke theksuar rolin e rëndësishëm që shkeljet e të drejtave të njeriut kanë luajtur në rëndimin e këtyre krizave, Roth thotë se “mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe llogaridhënia demokratike” janë kyçe për zgjidhjen e krizave.

Ai thotë se “politikat sektare dhe abuzive të qeverive të Irakut dhe Sirisë, kanë qenë faktorë të rëndësishëm në nxitjen e grupit ekstremist të Shtetit Islamik”.

Drejtori për media i organizatës Human Rights Watch, Andrew Stroehlein, thotë për Radion Evropa e Lirë se, aktualisht, ka shumë arsyetime për mosrespektimin e të drejtave themelore, duke u thirrur në shqetësimet për sigurinë.

Për Irakun, Raporti Botëror 2015 thotë se qeveria vazhdon të mbështetet kryesisht në milicitë shiite, të cilat “kryejnë vrasje dhe bëjnë spastrim të civilëve sunitë, pa u ndëshkuar”.

“Reformimi i gjyqësorit të korruptuar dhe abuziv dhe fundi i sundimit sektar, në mënyrë që sunitët të ndjejnë se kanë vend në Irak, do të ishin po aq të rëndësishëm sa edhe aksioni ushtarak kundër mizorive të kryera nga militantët e Shtetit Islamik”, thuhet në raport.

Për Rusinë, Roth thotë se Kremlini, në vitin 2012, ka nisur atë që është bërë “goditja më intensive e disidentëve që nga epoka sovjetike”, duke sulmuar grupet e të drejtave të njeriut, disidentët, gazetarët e pavarur dhe protestuesit paqësorë.

Roth thotë se “reagimi relativisht i ngushtë” i Perëndimit, ndaj shtypjes që u ka bërë Rusia disidentëve dhe shoqërisë civile, mund të ketë acaruar krizën në Ukrainë.

Në lidhje me të njëjtën çështje, Stroehlein thotë:

“Fakti se askush nga Perëndimi nuk i adreson vërtet këto abuzime, në mënyrë koherente dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë Moskës ndjenjën se ‘ne mund të vazhdojmë’”.

Roth, në anën tjetër, thotë se dëshira për të paraqitur Ukrainën si viktimë të pafajshame të agresionit rus, e ka bërë Perëndimin të ngurrojë që të sfidojë abuzimet e Ukrainës, përfshirë përdorimin e “batalionave të vullnetarëve”, të cilët, në mënyrë rutinore, abuzojnë të burgosur ose sulmojnë me armë zonat e populluara.

Sipas Roth, edhe forcat pro-ruse në lindje të Ukrainës kanë abuzuar seriozisht të burgosurit dhe kanë rrezikuar popullatën civile, duke hedhur raketa në mes të saj.

Stroehlein përmend edhe “goditjen e tmerrshme” që i ka bërë Qeveria e Azerbajxhanit shoqërisë civile dhe kritikëve të saj.

Raporti i organizatës Human Rights Watch, thotë se autoritetet e Azerbajxhanit kanë dënuar ose burgosur së paku 33 aktivistë të të drejtave të njeriut, aktivistë politikë, gazetarë dhe blogerë për akuza të motivuara politikisht.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG