Ndërlidhjet

Ndonëse nëpër strategji e dokumente të ndryshme të autoriteteve të Kosovës, vlerësohet se një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë territorit të saj, ende nuk ka regjistër zyrtar për numrin e saktë të tyre.

Deri tani, ka disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Regjistrimi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit i filluar në dhjetor të vitit 2013 nga Ministria e Diasporës, nuk ka përfunduar ende.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Lorik Pustina, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se regjistrimi ka shënuar ngecje për shkak të ngërçit politik që ishte krijuar gjatë vitit të kaluar.

“Kemi pasur një ngecje gjashtë mujore për arsye të ngërçit politik, pasi që siç dihet regjistrimi është një proces që involvon më shumë sektorë, më shumë dikastere, më shumë agjenci dhe mos-pasja e një agjende të qartë politike na ka shkaktuar ngecje. Ministri i Diasporës ka formuar një grup punues ku do të vlerësohet gjithë procesi dhe do të dilet me rekomandime, për të vlerësuar më pas hapat e mëtutjeshëm”, thekson Pustina.

Deri më tani, një numër i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, shton Pustina, kanë marrë pjesë në regjistrimin online, por që shifra të sakta nuk mund të jepen tani.

Sipas tij, pas vlerësimit të procesit të regjistrimit nga grupi punues do të publikohen të dhëna të cilat janë mbledhur deri më tani, ndërsa të dhënat preliminare do të jepen në fund të vitit 2016.

“Numri nuk dihet për arsye se kjo lidhet ngushtë edhe më Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe qasje në databazën ku futen të dhënat e bashkëatdhetarëve, është vetëm një person i cili është i çertifikuar për qasje në dokumente konfidenciale nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës".

"Por në momentin kur grupi punues jep rekomandim për publikimin e këtyre të dhënave, atëherë do të mund të dihet një numër i përafërt”, bën të ditur Pustina.

Sipas dokumentit për krijimin e një baze të të dhënave të mërgimtarëve të miratuar nga Qeveria e Kosovës, regjistri do t’i përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime të tjera.

Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër, vlerësojnë se procesi i regjistrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, ka pasur mangësi dhe nuk ka pasur një informim më të mirë për këtë proces.

Elbasan Morina, udhëheqës i organizatës joqeveritare Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim, organizatë kjo që ka përgatitur disa projekte për diasporën, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duhet një koordinim më i fuqishëm i institucioneve të Kosovës me mekanizmat e shteteve ku qytetarët e Kosovës jetojnë.

“Mendoj që është shumë e vështirë të bëhet regjistrimi i diasporës, në diasporë, është një burim i njëanshëm, i cili asnjëherë nuk mund të jap të dhëna të sakta për numrin e popullsisë që jeton jashtë vendit. Mendoj që një proces i tillë paralel do të duhet të organizohet edhe në Kosovë, do të ishte më lehtë të jipen së paku të dhëna të përafërta”, shton ai.

Kosova, shton Morina ka një interes të madh për të ditur përafërsisht numrin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi që do të ndihmonte vendin në formulimin e politikave, në veçanti kur bëhet fjalë për investime.

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e gjysmë miliardë euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG