Ndërlidhjet

“Gjendet” vajza e presidentit Putin


Ilustrim
Ilustrim

Raportet e lajmeve dhe blogerët rusë thonë se njëra nga vajzat e presidentit Vladimir Putin, e cila është mbajtur larg syve të publikut për vite të tëra, është një figurë e rëndësishme e një projekti në vlerë prej 1.7 miliard eurosh për zhvillimin e Universitetit Shtetëror të Moskës.

Raportimet mbi vajzat e Putinit, Maria dhe Katerina,29 përkatësisht 28 vjeçare, kishte qenë një temë tabu dhe jeta e tyre ishte konsideruar si një sekret shtetëror.

Por, gazetari dhe blogeri Oleg Kashin, ka njoftuar përmes një raporti të publikuar në internet se një femër e quajtur Katerina Tikhonova, e cila e udhëheq një projekt për zhvillimin e Universitetit të Moskës, është Katerina, vajza e Putinit.

“Vajza e Putinit është gjetur”, ka shkruar Oleg Kashin.

Postimi i tij pasoi një raport në agjencinë e pavarur ruse RBC, e cila ka njoftuar se Katerina Tikhonova është drejtoreshë e kompanisë Innopraktika, e cila e menaxhon projektin miliardësh.

Raporti i RBC nuk e ka bërë asnjë lidhje të kësaj vajze me Putinin.

Por agjencia e lajmeve Reuters, e ka cituar një burim të afërt me universitetin, të ketë thënë se Tikhonova është vajza e Putinit.

“Unë nuk e di kush është ajo dhe puna ime ka të bëjë me presidentin dhe jo me familjen e tij”, ka thënë zëdhënsi i presidentit Putin, Dmitry Peskov, për agjencinë Reuters.

XS
SM
MD
LG