Ndërlidhjet

Lehtësira fiskale për bizneset vendore


Fabrikë në Kosovë..
Fabrikë në Kosovë..

Qeveria e Kosovës do t’iu mundësojë bizneseve në Kosovë lehtësira fiskale, ka bërë të ditur ministri i Financave Avdullah Hoti, gjatë një takimi më përfaqësuesit e bizneseve.

Sipas një njoftimi për media të lëshuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, thuhet se ministri Hoti ka bërë të ditur se në mesin e përpjekjeve momentale të ministrisë së Financave do të diskutohet për uljen e pragut të tatimit mbi Vlerën e Shtuar,luftimin e ekonomisë joformale, si dhe për pushimet tatimore.

Sipas tij, Qeveria do të konsiderojë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, më konkretisht të lëndëve të para të cilat nuk prodhohen në Kosovë.

“Është synim i Qeverisë së vendit që të mos ketë rritje të normave tatimore dhe se secili ndryshim i mundshëm, posaçërisht i normave të akcizave do të diskutohet paraprakisht me komunitetin e biznesit. Ministria e Financave dhe të gjithë dikasteret e tjera qeveritare do të kenë vëmendje të posaçme për investitorët e huaj”, citohet të ketë thënë Hoti.

Në anën tjetër, drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, shprehu gatishmërinë e anëtarëve të kësaj organizate për dialog konstruktiv me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë e vendit në përgjithësi për çështjet që afektojnë bizneset dhe mjedisin e të bërit biznes.

“Oda Ekonomike Amerikane beson se Ministria e Financave do të vazhdojë të shtyjë përpara disa prej iniciativave të nisura më parë për lehtësira fiskale për investimet e reja”, ka theksuar Zeka.

Bizneset në Kosovë vazhdimisht janë ankuar për politika të pafavorshme fiskale. Tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, taksat doganore për lëndën e parë, financimi i vështirë i bizneseve, normat e larta të interesit, janë vetëm disa nga vështirësitë, më të cilat sektori i prodhimtarisë në Kosovë është ballafaquar vazhdimisht.

XS
SM
MD
LG