Ndërlidhjet

Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi ka vërtetuar dënimet për gjenocid kundër dy serbëve të Bosnjës, për rolin e tyre në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Vendimi i sotëm ishte vendimi i parë përfundimtar për gjenocid në Hagë.

Vujadin Popoviq, 57 vjeçar dhe Ljubisha Beara, 75 vjeçar, ishin oficerë të lartë të sigurisë në ushtrinë serbe në Bosnjë, që pushtuan enklavën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Kjo masakër u shënua si më e rënda në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Një pjesë e vogël e dënimeve për të dy burrat, të shqiptuara më vitin 2010, u hodh poshtë nga Dhoma e Apelit e Tribunalit, por gjyqtari kryesues Patrick Robinson, rikonfirmoi dënimet me burgim të përjetshëm -- që shënon dënimin më të ashpër të dhënë ndonjëherë nga Tribunali.

Tribunali gjithashtu konfirmoi vendimet për krime kundër njerëzimit për Drago Nikoliq dhe Vinko Pandureviq, të cilët ishin dënuar me 35 dhe 13 vjet burgim, dhe zvogëloi dënimin e Radivoje Miletiq nga 19 në 18 vjet burgim.

XS
SM
MD
LG