Ndërlidhjet

logo-print

Ndonëse Kosova nuk ka statistika të sakta për sëmundjet e kancerit, kjo e fundit mbetet një ndër sfidat më të mëdha.

Onkologët në vend thonë se vetëm gjatë vitit 2014, janë regjistruar rreth 800 raste të reja të të sëmurëve me kancer që janë trajtuar në institucione shëndetësore, por nuk dihet numri i saktë i të gjithë atyre që vuajnë nga kjo sëmundje.

Format më të shpeshta të regjistruara në Kosovë janë kanceri i gjirit tek gratë dhe ai i mushkërive tek burrat.

Por, edhe kanceri i qafës së mitrës tek gratë, sipas gjinekologes Myrvete Paçarada, është bërë një nga sëmundjet mjaft të shpeshta tek gratë.

"Është një dukuri që çdo ditë e më shumë po zbulohen rastet e kancerit të qafës së mitrës. Popullata më e rrezikuar është ajo më e re, që infeksionin e fiton në moshë të re, derisa simptomat paraqiten pas shumë vitesh".

"Kanceri i qafës së mitrës, qind për qind mund të shërohet nëse zbulohet me kohë dhe metoda për zbulimin e hershëm është një metodë e lirë, e lehtë, pa dhimbje dhe bëhet pa pagesë në klinikën gjinekologjike".

Zonja Paçarada flet edhe për shkaktarët e sëmundjes së kancerit në qafën e mitrës.

"Lindjet e shumta, infeksionet e pashërueshme, martesat e reja, janë disa nga shkaktarët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes".

Ndër shqetësimet më të shpeshta të pacientëve të prekur me kancer është mungesa e barnave për trajtimin e kësaj sëmundjeje, gjë që ka bërë që pacientët të detyrohen të blejnë vet ilaçet e nevojshme.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë çdo vit ndan nga 5 milion euro për citostatikë, barna këto që shërbejnë për trajtimin e të sëmurëve me kancer, këto të fundit nuk mjaftojnë.

Ekrem Hyseni nga Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se ka mungesë të theksuar të barnave, derisa presin një përmirësim të furnizimit javën që vjen.

"Furnizimi me barna për trajtimin e kancerit nuk është i mirë. Kërkesat kanë qenë shumë më të mëdha se që kemi planifikuar dhe është dashur të bëjmë një rimodelim të kërkesave, ku këto kërkesa tani kanë kaluar dhe janë bërë porositë. Por, furnizimi duhet pranuar që nuk është i mirë. Ka shumë mundësi që lista të plotësohet rreth 80 për qind, javës që vjen".

Derisa në Kosovë nuk ka statistika të sakta për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës, në botë për një vit rreth 500 mijë gra preken nga kjo sëmundje, derisa gjysma e tyre përfundojnë me fatalitet, kanë thënë zyrtarë shëndetësorë.

Ndryshe sipas autoriteteve shëndetësore, tashmë është hartuar një plan kombëtar për kontrollin e kancerit, i cii synon të ndihmojë parandalimin, zbulimin e hershëm, diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin e të prekurve.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG