Ndërlidhjet

Një gazetar, i cili pretendon se ka zbuluar informacione për vajzën e vogël të presidentit rus, Vladimir Putin, thotë se pjesëmarrja e saj në një projekt të universitetit, në vlerë prej 1.7 miliard dollarësh, e ka bërë daljen e saj publike të pashmangshme.

“Projekti i Universitetit Shtetëror të Moskës është shumë i madh dhe fshehja e pjesëmarrjes së saj atje, është thjesht e pamundur”, thotë për Radion Evropa e Lirë gazetari dhe blogeri Oleg Kashin, me seli në Gjenevë.

Putin e ka bërë tabu raportimin mbi jetën e tij private. Ai ka mbrojtur vajzat e tij Marian, 29 vjeçe, dhe Katerinan, 28 vjeçe, nga mediat sikur jeta e tyre të ishte sekret shtetëror.

Por, në një raport online, të publikuar më 29 janar, Kashin ka thënë se një grua e njohur si Katerina Vladimirovna Tikhonova, e cila është emëruar udhëheqëse e një organizate që punon me Universitetin Shtetëror të Moskës për të zhvilluar një copë të madhe toke pranë ndërtesës së tij, në një zonë të pasur në jugperëndim të Moskës, është vajza e Putinit, Katerina.

“Vajza e Putinit është gjetur”, ka shkruarr Kashin në raportin e tij.

Postimi i tij ka pasuar një raport nga media e pavarur ruse RBC, e cila ka përshkruar rolin e Tikhonovas si drejtore të Innopraktika-s, kompanisë së përfshirë në projekt.

Raporti i RBC-së nuk ka bërë ndonjë lidhje të veçantë me Putinin, por ka thënë se Tikhonova, e panjohur më herët, “po shihet gjithnjë e më shumë në publik”.

Në raport, Natalia Popova, njëra nga organizatoret e projektit, flet me admirim për Tikhonovan, duke thënë se ideja është “ndezur nga Katerina” dhe se qëlimi i saj është “të krijohet një strukturë e dobishme, që do t’i kontribuonte parandalimit të ikjes së trurit” nga Rusia.

Kashin thotë se pas këtij publikimi, në rrjetet sociale ka pasur shumë thashetheme se ajo mund të jetë vajza e Putinit.

Ai thotë se nuk është personi i vetëm me dyshime, madje edhe para raportit të RBC-së.

“Ka pasur thashetheme në Moskë gjysmën e vitit të kaluar ose më shumë. Njerëzit që i janë ekspozuar kësaj, madje edhe unë, ose kanë ngurruar të flasin për këtë, ose kanë qenë të kufizuar nga ndonjë obligim i tyre. Vetëm pasi RBC ka publikuar detajet e planit për Universitetin e Moskës, me emrin Katerina Tikhonova, imazhin e saj misterioz, ose mungesën e imazhit të saj, sepse nuk ka pasur një person të tillë në akademi apo në Google, është bërë e mundur të flitet për këtë”, thotë Kashin.

Ai thotë se raporti në RBC e ka bërë të qartë për të se nuk ka më kuptim që të shtyhet publikimi i informacioneve që ka pasur.

Edhe agjencia e lajmeve Reuters, ka cituar një zyrtar të afërt me universitetin të ketë konfirmuar se Tikhonova është vajza e Putinit.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, kur është pyetur për identitetin e kësaj gruaje ka thënë se “nuk e di” se kush është dhe se puna e tij “ka të bëjë me presidentin e jo fëmijët e tij”.

Sipas Kashinit, Tikhonova është po ashtu valltare akrobatike, e cila ka performuar në gara ruse dhe evropiane. Disa video në YouTube nga viti 2013 tregojnë Tikhonovan duke performuar me një partner në Zvicër dhe Moskë.

Blogeri opozitar, Aleksei Navalny, po ashtu ka publikuar informacione në faqen e tij në Facebook, të cilat e lidhin Tikhonovan me Putinin.

Sekretet që rrethojnë vajzat e Putinit kanë çuar disa herë në thashetheme të shfrenuara për atë se ku janë dhe çfarë bëjnë.

Pas rënies së aeroplanit malajzian MH17, kryetari i qytetit Hilversum në Holandë i ka bërë thirrje Marias, e cila është thënë se jeton aty pranë me partnerin e saj holandez, që të largohet.

Shtypi i Koresë së Jugut, për kohë të gjatë, ka raportuar se Katerina ka jetuar në Seul me një admiral jugkorean, me të cilin ka planifikuar të martohet.

Kremlini i ka hedhur poshtë këto raporte.

Në një intervistë në muajin nëntor, Putin ka thënë se të dyja vajzat e tij jetojnë në Moskë dhe se ai i takon ato dy herë në muaj.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG