Ndërlidhjet

Derivatet e naftës nuk kontrollohen në kufi dhe kjo lë hapësirë për dyshime për cilësinë e këtij produkti që shitet në tregun e Kosovës, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë

Zoti Berjani, sektori i naftës në Kosovë, edhe nga naftëtarët, në disa raste është cilësuar si sektor ku zhvillohet krimi dhe korrupsioni. Ju, si kryetar i shoqatës, keni vërejtur kësi lloj parregullsish që të etiketohet në këtë mënyrë?

Fadil Berjani: Ne nuk kemi mundur të vërejmë në këtë mënyrë dhe ta themi këtë, por mund të themi se perceptimi për naftëtarët nuk është në nivelin e duhur, është për ta gjykuar. Por, shoqatës nuk i bën nder asnjë kompani që ka probleme me ligjin, kontrabandën apo krimin ekonomik.

Është shumë për të vlerësuar edhe qëndrimin e shoqatës, e cila ka qenë e zëshme dhe kërkesat e saj kanë qenë për sundim të ligjit, kontroll të cilësisë dhe sasisë së derivateve të naftësDhe, unë, si kryetar i shoqatës, jam i thirrur që të ngre zërin në bazë të kërkesave, në mënyrë që t’i shtyjmë proceset përpara.

Pasi ka probleme dhe pengesa të shumta edhe në këtë fushë si: çmimet e ndryshme në treg, formimi i rregullatorit të çmimeve, kontrollimi i cilësisë gjatë importit në kufi, ndarja në mënyrë te barabartë e rezervave shtetërore, zgjatja e licencave, ku është një krim për momentin, pasi licencat vazhdohen çdo dy vjet, tatimi në mbuloja dhe kyçja në rrugë, pranimi i humbjeve, ku në gjithë Evropën dhe botën bëhen, kurse te ne në Kosovë nuk bëhen. Kështu që nga Shoqata e Naftëtarëve kërkohet që edhe një herë të bëhet rishikimi i ligjit, i cili është në proces e sipër.

Radio Evropa e Lirë

Sa kontrollohet në Dogana cilësia e naftës dhe sa janë funksional laboratorët që janë kompetentë për këtë çështje?

Fadil Berjani: Nuk ka kontroll të cilësisë së derivateve të naftës. Deri më tash nuk është kontrolluar më shumë se tre për qind, por edhe nga kjo sasi që është kontrolluar, ka rezultuar që një pjesë e madhe të jetë jo konform ligjeve, që do të thotë se gjatë importit nuk është kontrolluar, ose se 97 për qind e naftës futet në Kosovë pa u kontrolluar.

Në bazë të një udhëzimi administrativ, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka zëvendësuar laboratorët me Trupa Inspektues, dhe këta trupa bëjnë vetëm përshkrimin e analizave dhe jo kontrollet laboratorike. Në Kosovë ekzistojnë katër Trupa Inspektues dhe tre laboratorë.

Ne, si shoqatë, disa herë i jemi drejtuar ish-ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila dhe ish- ministrit Bernard Nikaj që cilësia e derivateve të kontrollohet në kufi, por nuk kanë pasur interes për këtë çështje.

Në vitin 2014 kemi pasur 150 lëndënë gjykata për moscilësi. Por, unë mendoj se ato pika të shitjes së karburanteve nuk janë fajtore për atë cilësi, për shkak se nuk janë importuese. Nafta, e cila hyn në kufi nuk kontrollohet, por vetëm lexohet certifikata e cilësisë . Unë e quaj skandal, pasi 150 lëndë janë në gjykatë, ai derivat është dashur të konfiskohet dhe jo të lejohet të shitet në treg, pasi nuk ka qenë konform standardeve. Dhe për këtë duhet të ketë përgjegjës.

Radio Evropa e Lirë

Por, zoti Berjani, cila është cilësia e naftës brenda në territorin eKosovës, sa ka mundësi të përzihet me ndonjë lënde tjetër djegëse?

Fadil Berjani: Ne nuk nxjerrim naftë në Kosovë, ne nuk kemi rafineri, ne nuk mund të garantojmë cilësi, nuk mund të themi se ka përzierje të derivateve, kur në kufi kontrollohet vetëm 3 për qind. Sikur të shtohen kontrollet në kufi, atëherë siguria do të jetë më e madhe. Unë, si kryetar i shoqatës, jam për zbatueshmëri ligjore, ku të gjithë duhet t’i zbatojmë ligjet në fuqi dhe të bëhen më shumë kontrolle. Kërkoj nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, që në qoftë se e dëshiron suksesin e punës, malli duhet të kontrollohet sa më shumë në kufi.

Radio Evropa e Lirë

Cili është funksioni i laboratorëve ekzistues në kufi? A duhet të kontrollohetçdo maunë që hyn në Kosovë?

Fadil Berjani: Sa i përket laboratorëve në kufi, nuk ka nevojë që çdo maunë të kontrollohet, sepse është ngarkesë edhe e biznesit dhe e rrit çmimin menjëherë. Por, unë mendoj se çdo kontingjent që hyn në Kosovë, në mënyrë reciproke duhet të mendohet si të merret ai mall. Rast konkret, hyn një kontingjent prej 10 auto-boteve, aty mund të merret një sasi e derivateve dhe të kontrollohet cilësia. Për momentin nuk është duke u marrë cilësia dhe ne nuk mund të garantojmë se qytetarët dhe konsumatorët kanë nivel të lartë të cilësisë së derivateve të naftës.

Radio Evropa e Lirë

Do të thotë ka parregullsi gjatë importit të derivateve të naftës në Kosovë?

Fadil Berjani: Deri sa nuk ka kontroll të mjaftueshëm në kufi , atëherë nuk mund të themi se ka rregull siç duhet të jetë. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që gjatë importit të maten edhe vagonët që hyjnë në Kosovë. Por, kjo ka hasur në veshë të shurdhër dhe këtu mund të ketë anashkalim të cilësisë, sasisë . Ne u jemi drejtuar autoriteteve kompetente që vagonët me derivate të maten në kufi, pasi aty mund të dyshohet se hyn malli pa tatim dhe me cilësi jo të duhur.

Radio Evropa e Lirë

Në anën tjetër, zoti Berjani ju po kundërshtoni procesin e ri- fiskalimit të pompave të karburanteve. Ku qëndron arsyeja ?

Fadil Berjani: Ne, si Shoqatë e Naftëtarëve asnjëherë nuk e kemi kundërshtuar ri-fiskalizimin, pasi në vitin 2010 kemi qenë të fiskalizuar. Për arkat e avancuara jemi pro,mirëpo e kundërshtojmë çmimin. Ne i jemi drejtuar disa herë ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-ministrit të financave, Besim Beqaj, se pranojmë rifiskalizimin, por jo çmimin.

Nuk ka askund në rajon dhe në botën e civilizuar që këto arka të kenë këtë çmim. Ne e kemi kundërshtuar çmimin dhe është kënaqësi që zëri ynë ka shkuar në veshin e duhur, që duhet të kuptohet se bizneset, të cilat operojnë në Kosovë, e kanë një krizë marramendëse. Por, çmimet që ka ofruar operatori ekonomik janë shumë të shtrenjta. Unë jam gjykuar nga operatorët kinse nuk po e tregoj realitetin rreth çmimeve.

Unë flas me përgjegjësi të plotë se në dy dispanserë, çmimi ka qenë 8.480 euro, kurse te një operator tjetër në Prizren, një kompani me katër dispanseri në vitin 2010 ka paguar 10.470 euro, ka paguar gjoba 2.000 euro, kurse i kërkohen edhe 4.000 euro të tjera. Kjo do të thotë me katër dispanser çmimi po bie 14.470 euro. Por, pasi e ka ngritur zërin shoqata, operatori ekonomik e ka ulur çmimin për 50 për qind.

Ndërsa, me hapjen e tregut, çmimi do tëulet edhe më tutje, kështu që ne e kemi shumë të qartë se rifiskalizimi është edhe program qeveritar dhe besoj se gjatë vitit 2015, do t’i vijë fundi rifiskalizimit të të gjitha pikave të karburantit.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG