Ndërlidhjet

logo-print

Viktima të reja në lindje të Ukrainës


Ilustrim

Ilustrim

Së paku gjashtë civilë dhe dy ushtarë të qeverisë janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra që kanë ngjarë gjatë ditës së djeshme në lindje të Ukrainës.

Zyrtarët qeveritarë dhe rebelët kanë njoftuar se tre civilë janë vrarë dhe një është plagosur rëndë si rezultat i granatimit të shtëpisë së tyre në Luhansk.

Dy ushtarakë ukrainas janë vrarë si rezultat i hedhjes së raketave nga separatistët në qytetin Schastya që gjendet 20 kilometra larg Luhanskut.

Një zëdhënës i rebelëve pro-rusë ka thënë se tre civilë janë vrarë dhe 19 janë plagosur, gjatë luftimeve të 24 orëve të fundit në republikën e vetshpallur të Donjeckut.

Një reporter i agjencisë AFP, në qytetin Makiiva i cili kufizohet me Donjeckun, ka thënë se tri ndërtesa janë përfshirë nga zjarri pas gjuajtjes me mortaja.

Një grua në vend të ngjarjes ka thënë se gjyshja e saj është vrarë dhe gjyshi është plagosur pasi granatat kanë goditur shtëpinë e tyre.

Raportet për viktima të reja vijnë pasi të shtunën ka dështuar mbajtja e një takimi në Minsk i cili kishte për qëllim arritjen e paqës .

Më shumë se 5 mijë e 100 viktima janë raportuar që nga fillimi i konfliktit në prill të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG